Lushtaku: Të mbrojmë lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve
Mërgim Lushtaku, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, përkujton 5 Korrikun e vitit 1990, kur forcat serbe me urdhër të Qeverisë së tyre ndaluan transmetimin e Radio Televizionet të Prishtinës, shkurtuar si RTP ose TVP.
RTP ishte radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion u realizua me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990.
Ja reagimi i plotë i deputetit, Mërgim Lushtaku, në rrjetin social Facebook:
Sot, bëhen 30 vite kur forcat pushtuese serbe në mënyrë të dhunshme ndaluan transmetimin e Radio Televizionit të Prishtinës.
RTP, ishte radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës, i cili kishte filluar të funksionojë që nga viti 1945.
Roli i tij ishte i madh për arsye se ishte mediumi i vetëm informativ.
Pas luftës, u hap rruga për themelimin e mediave të lira dhe në vend të RTP-së u vendos dhe filloi punën Radio Televizioni i Kosovës.
Ndërsa sot, në vendin tonë është kënaqësi të shohim një numër të madh të mediave me programet e tyre shumë të pasuruara.
Liria e mediave është e drejtë e mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ne si shoqëri e kemi obligim që ta zbatojmë atë dhe të kujdesemi po ashtu për sigurinë e gazetarëve që ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale pa kërcënime dhe frikësime.























