Kim: Reformat, të rëndësishme për mjedis të favorshëm për investime

Kim: Reformat, të rëndësishme për mjedis të favorshëm për investime

“Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi, janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë”, u shpreh ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, gjatë një takimi që zhvilloi mëngjesin e së hënës me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Kim theksoi se, “këto dy reforma janë të rëndësishme në funksion të forcimit të demokracisë dhe të përmirësimit të mjedisit të favorshëm për investime, qoftë të qytetarëve shqiptarë, por edhe atyre amerikanë në Shqipëri”.

“Ju falënderoj për mbështetjen që ju jepni për SHBA-në këtu në Vlorë”, ju drejtua ajo kryebashkiakut Leli.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Vlorës vlerësoi vizitën e ambasadores Yuri Kim, duke e cilësuar atë shprehje të mbështetjes dhe të vlerësimit për qytetarët dhe qytetin e Vlorës.

“Vizita e një ambasadori të SHBA-së në Vlorë është rikonfirmim i marrëdhënieve të ngushta reciproke mes dy vendeve, një marrëdhënie shumëplanëshe për të cilën ne, shqiptarët jemi krenarë, duke qenë njëkohësisht një nga popujt me amerikandashës në Europë”, theksoi Leli. Sipas tij, kjo është një vlerë e madhe që mbartin shqiptarët.

“Vlerat që ju sillni, janë vlera që rrisin ditë pas dite besueshmërinë tek demokracia, shembulli më i madh i së cilës janë SHBA”, nënvizoi më tej kryebashkiaku Leli.

Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që japin për Reformën në Drejtësi, e cila, sipas tij, “është pika më fondamentale për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të gjithë ata që kanë zgjedhur të ndërtojnë jetën këtu, për fëmijët tanë, për ta parë më më shumë dashuri vendin tonë, Shqipërinë, falë vlerave që po rithemelohen në një dimension tjetër falë mbështetjes së SHBA”.

Leli falënderoi gjithashtu Ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen për Reformën Zgjedhore, duke shprehur besimin dhe optimizmin që pas kësaj reforme të ketë të zgjedhur me më shumë vlera, njerëz që e duan këtë vend, që janë përpjekur të jenë korrektë gjatë jetës së tyre për t’u bërë qytetarë të denjë në një sistem vlerash demokratike.

Ai e cilësoi misionin e Ambasadores së SHBA-së, një mision sa diplomatik po aq edhe human, në funksion të konsolidimit të vlerave të demokracisë në Shqipëri.

Leli e cilësoi Vlorën e këtyre 5 viteve, një shembull të bashkëpunimit mes qeverisjes qendrore dhe pushtetit lokal, për ta ndryshuar faqen e qytetit. Ai vlerësoi mbështetjen e Kryeministrit, Edi Rama për Vlorën, në funksion të shndërrimit të saj në një pol shumë të fuqishëm turistik në të gjithë pellgun e Mesdheut, për të patur zhvillim të qëndrueshëm të turizmit dhe për ta përkthyer atë në ekonomi.

“Investimet e realizuara gjatë 5 viteve të fundit në infrastrukturë janë shoqëruar me ndryshime në investime të biznesit, të cilat as nuk mund të mendoheshin pak vite më parë”, tha ai.

Në emër të komunitetit të banorëve të zonës së Babicës, Leli falenderoi Ambasadoren Yuri Kim, për projektin e financimit dhe transformimit të shkollës “Selam Musai” në këtë njësi administrative të Bashkisë Vlorë, me mbështetjen e ushtrisë amerikane.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ndodhet prej dy ditësh në qytetin e Vlorës. Mbrëmjen e të dielës, ajo ishte në një darkë pune me përfaqësues të shoqërisë civile në këtë qytet, ndërkohë që, në vazhdim do të zhvillojë vizita në objekte muzeale në Vlorë, në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”, ku funksionon edhe Këndi Amerikan, në mjediset e Bazës Ushtarake të Pashalimanit etj. /ATSh