Dyshime për origjinën e koronavirusit
Sharr Travel

Dyshime për origjinën e koronavirusit

Kina është akuzuar prej Uashingtonit por edhe shteteve të tjera për kthimin e epidemisë së kovidit të ri nga një vatër lokale në një rrezik global. Studiuesit tregojnë se virusi realisht mund të ketë ekzistuar jashtë Azisë për muaj a shekuj më parë.

Shkencëtarët kanë zbuluar se virusi SARS-CoV-2 që ka infektuar mbi 11 milionë veta e ka vrarë më shumë se gjysmë milionë të tjerë, mund të ketë qarkulluar prej mijëra vitesh përpara se të shfaqej zyrtarisht në Kinë fundvitin e kaluar.

Një sërë analizash të kryera muajt e fundit nga virusologët në kanalet e ujërave të zeza kanë treguar nëpër shtete të ndryshme për prani të koronavirusit që në muajin mars të vitit 2019.

Ky rast u diktua nga ekspertët spanjollë muajin e kaluar.

Pak kohë më parë ishin autoritetet italiane që raportuan se në kanalet e qyteteve si Milano dhe Torino gjendeshin gjurmë të virusit që në muajin dhjetor, ndërsa në Brazil, mostrat flasin për periudhën diku rreth vjeshtës 2019.

Shumë viruse në planet, thotë eksperti britanik i Universitetit të Oksfordit, Tom Xheferson, qëndrojnë joaktive deri sa të luajnë rol faktorë nxitës si mjedisi dhe dëndësia e popullsisë.

Sipas tij, virusi mund të ketë ekzistuar diku tjetër para se të identifikohej si i tillë fillimisht në tregun e frutave të detit dhe të kafshëve ekzotike në qytetin Uhan të Kinës në dhjetor.

Mbijetesa dhe transmetimi i virusit aty mendohet të jetë ndihmuar nga temperaturat e ulëta.

Një tjetër hipotezë e fundit tregon se pjesë të zinxhirit gjenetik të virusit SARS-Cov-2 mund të gjurmohen rreth 60 mijë vite më parë, në kohën e njerëzve të hershëm si neandertalët.

Ky segment gjenetik i trashëguar, thonë shkencëtarët, rrit rrezikun për krijimin e sëmundjeve të rënda të sistemit respirator prej koronavirusit deri 30 për qind te aziatikët, dhe më pak për popullsitë europiane, duke prekur gati 8 për qind të njerëve.

Me këtë tregohet pse vendet euraziatike kanë qenë edhe më parë vatra të epidemive të ndryshme nga koronavirusi.