Valon Berisha vizitoi FFK-në, optimist për kualifikim në Evropian
Sharr Travel

Valon Berisha vizitoi FFK-në, optimist për kualifikim në Evropian

Presidenti i FFK-së Agim Ademi ka pritur sot futbollistin e Kombëtares, Valon Berisha, i cili këto ditë ndodhet në vendlindje për pushime.

Në këtë takim krahas presidentit Ademi ishin edhe anëtari i KE-së, Xhelal Broja, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe drejtuesit e grupit të tifozëve “Dardanët”. Presidenti Ademi i uroj mirëseardhje Valonit në vendlindje, duke i dëshiruar pushim të mirë afër familjes në këtë periudhë të vështirë në të cilën po kalon jo vetëm vendi ynë por i gjithë globi, si pasojë e pandemisë “Covid-19”. Presidenti Ademi i shprehu edhe njëherë mirënjohje Valonit që ishte lojtari i parë që zgjodhi Kosovën, duke e braktisur një kombëtare të madhe, teksa hyri në histori si lojtari i parë që shënoi gol për Kosovën në kualifikime. Ademi theksoi se Valon Berisha u bë kësisoj shembull për t’u ndjekur nga lojtarët e tjerë. Në anën tjetër, Valoni u shpreh i nderuar që sërish ndodhet në Kosovë, teksa falënderoi presidentin Ademi dhe tërë stafin e FFK-së për kushtet shumë të mira që kanë krijuar për ekipin kombëtar, si dhe për mbështetjen e madhe që gëzojnë nga i tërë populli, me shpresë dhe optimizëm se një ditë tërë këtë do t’ua shpaguajnë me kualifikim në Evropian apo Botëror.