Besnik Hasi mund të marrë drejtimin e gjigantit evropian
E ardhmja e Besnik Hasit mund të jetë larg Arabisë Saudite, edhe pse ka kontratë për një tjetër vit me klubin e Al Raed.
Trajneri gjakovar, duket se ka marrë një ofertë nga një emër i njohur evropian dhe aspekti ekonomik ka kaluar në plan të dytë.
Mediat arabe kanë zbuluar se klubi i Al Raed ka dërguar në Belgjikë një avion privat për të marrë Hasin dhe familjarët e tij për t’i kthyer në Arabinë Saudite. Hasi ka udhëtuar drejt vendit ku prej një viti e gjysmë vazhdon karrierën e trajnerit, por deri tani nuk ka dale ende në stërvitje me skuadrën ndonëse ajo i ka filluar përgatitjet për rifillimin e sezonit të ndërprerë në mars.
Të njëjtat burime shpjegojnë se shkak është bërë një ofertë tunduese nga Turqia, ku klubi i Fenerbahces e sheh atë si trajnerin ideal për të filluar projektin e sezonit të ardhshëm.
Kjo është arsyeja se pse Hasi nuk ka filluar ende punë, pasi po zhvillon bisedat me gjigantët e futbollit turk, për të vazhduar karrierën atje dhe për të qenë protagonist në një kampionat të rëndësishëm evropian.
Fenerbahces i kanë mbetur edhe tre ndeshje për t’u luajtur në kampionatin turk dhe burimet tregojnë se brenda kësaj periudhe, Hasi shpreson që të gjejë akordin në mënyrë që të jetë gati sa të mbarojë edicioni dhe të marrë detyrën sapo të fillojë sezoni i ri.























