Basha: Rama më ofroi të bëhem kryeministër dhe ai të bëhej president
Sharr Travel

Basha: Rama më ofroi të bëhem kryeministër dhe ai të bëhej president

Vetëm pak minuta pas konferencës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili paralajmëroi ndryshimin e Kushtetutës për hapjen e listave, nga selia blu, kreu i opozitës, Lulzim Basha, paralajmëroi prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit, të dakordësuar nga faktori ndërkombëtar me mazhorancën.

“Në thelb sot ai ka prishur marrëveshjen e 5 Qershorit për të cilën u investuan forcat politike me ndërmjetësimin e BE, SHBA dhe Britanisë së Madhe në këtë marrëveshje ishte qendrore arritja e dakordësisë për reformën zgjedhore, kusht për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Kryeministri në ikje se prek dot Kushtetutën me 122 deputetë dhe çdo hap në këtë drejtim është dhunim i marrëveshjes së 5 Qershorit”.

Pas asaj që e cilësoi maskaradë me hapjen e listave, Lulzim Basha tha se fshihet frika e Kryeministrit për rotacion politik e në këtë drejtim thotë se po bën çdo përpjekje për të ndalur koalicionet para elektorale.

“Nëse Rama do kishte interes për listat e hapura, s’do e linte për pazar fund Korriku, të cilin OSBE e hodhi poshtë. S’ka budalla të besojë që Rama do lista të hapura, kur ne e shtruam në kohë vetë, Rama doli haptazi kundër listave të hapura. Nëse Rama është për lista të hapura s’ka nevojë për ndryshime kushtetuese se bëhet në kod”.

Për herë të parë publikisht deklaroi se gjatë muajve Mars, Prill e Maj në këmbim të heqjes së koalicioneve, Kryeministri Rama i ka kërkuar ndërmjetësim për ta ngjitur atë në krye të karriges së tij, në këmbim të postit të Presidentit.

“Nëse Edi Rama është për lista të hapura nuk ka nevojë për lista të hapura, nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese sepse është në Kod, ai i do ndryshimet në Kushtetutë për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Për një muaj Edi Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij duke thënë ti Kryeministër, unë President, vetëm të heqim koalicionet. Heqim koalicionet dhe ti Kryeministër dhe unë President”.

Basha e ftoi Kryeministrin Rama t’i qëndrojë marrëveshjes së dakordësuar në 5 Qershor, duke u shprehur i hapur për ndryshimin e sistemit elektoral, një proces që sikundër tha duhet të jetë transparent e gjithpërfshirës e ku vendimmarrja të jetë pjesë e një referendumi popullor./Tv Klan