Napoli-Milan në San Paolo, Gattuso sfidon të shkuarën!
Genaro Gattuso sfidon ish-skuadrën e tij, ku bëri emër si futbollist dhe si trajner. Mbrëmjen e sotme në San Paolo, Napoli pret Milanin në javën e 32-të të Serie A, në një ndeshje që pritet të dhurojë shumë emocione dhe spektakël.
Për momentin gara mes këtyre dy ekipeve është për vendin e 5-të, pasi zona Champions është shumë larg, edhe pse duhet nënvizuar që Napoli e ka siguruar vendin në grupet e Europa League me suksesin në Kupën e Italisë.
Të dyja skuadrat vinë nga një moment i mirë sepse pas pandemisë, Napoli ka grumbulluar 12 pikë në 5 ndeshje ndërsa Milani plot 13 dhe vetëm Atalanta ka bërë më mirë se kuqezinjtë.
Falë fitores së madhe me përmbysje që morën ndaj Juventusit, kuqezinjtë kanë rigjetur edhe moralin dhe shkojnë në San Paolo pa frikë për të bërë rezultat, duke mbështetur edhe te dyshja sulmuese Ibrahimovic-Rebic, transmeton SS.
E diela e Serie A nis shumë shpejt që në orën 17:15, me sfidën Genoa-Spal një ndeshje që skuadra ligure duhet ta fitojë me çdo kusht nëse dëshiron të luajë në Serie A dhe sezonin e ardhshëm.
Në orën 19:30 do të keni mundësi të ndiqni sfidat Fiorentina-Verona, Parma-Bologna dhe Udinese-Sampdoria. Ndërkohë La Liga vjen në ekranin tonë këtë të dielë me sfidën Sevilla-Mallorca.























