Hoti: S`ka gjendje të jashtëzakonshme për momentin, por shtrëngim masash
Sharr Travel

Hoti: S`ka gjendje të jashtëzakonshme për momentin, por shtrëngim masash

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit me Këshillin e Sigurisë ka thënë se nuk do të ketë shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme për momentin, por do të ketë masa rigoroze gjatë ditëve në vijim

“Sapo e kryem mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës ku ka një pajtueshmëri të përgjithshme për ndërmarrjen e masave shtesë dhe zbatimin rigoroz të atyre masave”, ka thënë Hoti.

Megjithatë, kryeministri e ka lënë të hapur edhe mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Ai tha se në javët në vazhdim do të kërkohet zbatim rigoroz i masave aktuale dhe masave të reja, ndërsa varësisht nga situata do të iniciohen edhe procedurat kushtetuese për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Hoti tha se të gjitha institucionet e bizneset janë të detyruara që të pajisen me dezinfektues, derisa për kontrollimin e tyre do të ketë kontrolle të rrepta të inspektoratit dhe policisë.

Tutje, Hoti njoftoi se përkohësisht do të ndalohen edhe ritet fetare, për të cilën gjë kërkoi mirëkuptim nga përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë.

Po ashtu, kryeministri theksoi se do të ndalohen edhe tubimet publike.

Sipas tij, maska, distanca, higjiena janë masat kryesore të cilat duhet të zbatohen në mbrojtje nga virusi CoVID-19.

“Me tri masa shpëtojmë jetën e qytetarëve: bartja e maskave, distanca dhe larja e duarve. Do të ketë asistencë të plotë të policisë për të shqiptuar gjoba në përputhje me ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse”, potencoi kryeministri Hoti.

Kryeministri bëri të ditur se do të ketë edhe një fushatë “agresive” mediale për t`i vetëdijesuar qytetarët për ekzistencën e virusit.