Ballkani rikthehet fuqishëm për titull, Dukagjini befason Trepçën`89
Sharr Travel

Ballkani rikthehet fuqishëm për titull, Dukagjini befason Trepçën`89

Kanë përfunduar katër ndeshjet e sotme të javës së 30-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.

Befasinë e ditës e përgatiti Dukagjinit ndaj Trepçës ’89, duke fituar me rezultat 3:2. Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Ballkani në udhëtim te Feronikeli, sikur edhe Llapi ndaj Flamurtarit, të dyja me rezultat identik 1:0.

Ballkani e ka mposhtur si mysafir Feronikelin me rezultat minimal 1-0 dhe ka vazhduar garën për titull, duke iu ofruar Dritës në vetëm tri pikë, tri xhiro pa përfunduar kampionati.

Në duelin e zhvilluar në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas, golin e vetëm për ‘portokallinjtë’ e realizoi Blend Baftiu (33’).

Pas kësaj fitoreje Ballkani renditet i dyti me 62 pikë, ndërsa Feronikeli mbetet i 5-ti me 44 sosh.

Befasia e ditës se sotme ka ndodhur në Klinë, atu ku Dukagjini tashmë i rënë nga Superliga e ka mposhtur Trepçën ’89 me rezultat 3-2, duke ia vështirësuar punët jashtëzakonisht shumë ‘minatorëve’ për mbetje në elitë.

Golat për klinasit i realizuan Arbër Shala (11’), Abu Kamra (73’) dhe një autogol i Milot Avdylit (45+2’), ndërsa për mysafirët shënuan Muharrem Jashari (2’) dhe Milot Avdyli (13’).

Ndërkaq, Ferizaj ka shënuar fitore si mysafir ndaj Vushtrrisë, 3:1.

Rezultatet:
Prishtina – Drita 1:1
Gjilani – Drenica 2:0
Llapi – Flamurtari 1:0
Feronikeli – Ballkani 0:1
Vushtrria – Ferizaj 1:3
Dukagjini – Trepça ’89 3:2