Thaçi: Kosova është një amanet që e kemi nga të parët tanë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sonte iu është adresuar publikut, lidhur me intervistimin 4 ditor nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
"Kosova është një amanet që e kemi nga të parët tanë, nga rilindësit tanë, nga dëshmorët tanë, nga heronjtë tanë, nga Hasan Prishtina, Shota dhe Azemi, nga Adem Jashari, Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova, dhe qindra e mijëra të tjerë të cilët janë engjëjt mbrojtjes të kësaj toke.
Kosova është edhe vizion. Është edhe borxhi që ua kemi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë.
Atyre që po rriten në këtë vend dhe atyre që do të lindin dhe jetojnë në këtë tokë që deshën të na e mohojnë, tokë të djegur dhe të përgjakur, ku ne të gjithë së bashku kemi detyrimin të ndërtojmë rrugën e bashkëjetesës demokratike dhe multietnike.
Kështu e forcojmë demokracinë, rrisim mirëqenien dhe ndërtojmë urat e paqes së qëndrueshme mes vete dhe fqinjëve tanë.
Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota" tha ai.























