Munishi pas barazimit me Gjilanin: Do t’ia prishim pak festën Dritës
Ismet Munishi është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në Gjilan, ani pse Ballkani pësoi në minutën e 95 golin që ia pamundësoi të luftojë për titull në xhiron e fundit.
Munishi falënderoi Gjilanin për mikpritje sot.
“Ndeshja ishte shumë e mirë, Gjilani ka skuadër kualitative. Është një klub i organizuar shumë mirë. Ne bëmë një shfaqje të bukur sot. Falënderoj kryetarin dhe kryesinë e Gjilanit për mikpritjen, e po ashtu edhe gjyqtarët”, deklaroi Munishi për Supersport.
“Ne dhe Gjilani kemi luajtur gjatë gjithë kampionatit futboll”.
“Mendoj që ishim bukuria e këtij sezoni, Ballkani luajti futbollin më të bukur në Kosovë dhe do të vazhdojmë me punë e angazhim. Problemet tona do t’i zgjidhim me kualitet”.
“Ndeshja me Dritën? Kemi lojtarë të dëmtuar, Besnik Krasniqin e Visar Berishën, ndoshta me ta në fushë s’do ta merrnim golin e barazimit, por jam i kënaqur me paraqitjen e gjithë lojtarëve. Do të mundohemi në Suharekë t’ia prishim pak festën Dritës”, shtoi me mahi Munishi, transmeton Olle.
Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka “shpërthyer” pas barazimit.
Ai e quajti Gjilanin si skuadrën më të mirë në Kosovë, duke theksuar që ata bashkë me Ballkanin luajtën pastër deri në xhiron e fundit.
“E gjithë Kosova e ka parë si ka luajtur Gjilani, e si ekipet tjera. Ua mbyllëm gojën edhe specialistëve që na kritikonin. E them me gjithë gojën që Gjilani ishte skuadra më e mirë në Kosovë këtë edicion dhe e meritoi titullin kampion”, deklaroi Mezani.
“Edhe ne edhe Ballkani kemi luajtur pastër. Prokuroria dhe Federata duhet të punojnë që kampionati i ardhshëm të jetë më i pastër”.
“Nuk më intereson fare nëse e kemi bërë Dritën kampion apo jo, ne ishim ekipi më i mirë”.
“Skuadra është shumë e lodhur pas dy ndeshjeve të vështira, por do të japim maksimumin edhe ndaj Flamurtarit, pasi që jemi brenda objektivave dhe duam pozitën e dytë”, shtoi ai.























