Takim ekspertësh në Bruksel për të pagjeturit
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, takohen sot në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Pritet që delegacionet e të dyja vendeve të kenë së pari takime të ndara me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, e pastaj edhe takim të përbashkët./REL
Takimet e ndara mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë nisin në orën 10:00, ndërkaq takimi i përbashkët nis në orën 14:00.
Ky është takimi i parë në nivel ekspertësh që prej se rifilloi dialogu më 16 korrik, kur u takua kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në atë takim, siç thanë edhe burimet nga BE-ja, palët ishin pajtuar për një varg temash, që do të jenë në agjendë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se në këtë takim do të hartohet drafti i marrëveshjes finale për çështjen e personave të pagjetur.
Kosova pritet të përfaqësohet në dialogun e nivelit të ekspertëve me Skender Hyseni, i emëruar si koordinator për dialog nga ana e kryeministrit Hoti.
“Ai (Skender Hyseni) flet në emër timin në tavolinën e dialogut. Ai e ka këtë kompetencë, të më përfaqësojë mua si kryeministër në procesin e dialogut. Ai do të jetë në Bruksel, së bashku me (Ibrahim) Makollin, që merret me çështjen e të pagjeturve, për të bërë draftin e marrëveshjes finale për çështjen e të pagjeturve”, theksoi Hoti.
Delegacionin e Serbisë do ta udhëheqë, sikur edhe në të kaluarën, drejtori i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Nga burimet e palës kosovare është thënë se ky nuk do të jetë dialog teknik, por dialog për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Por, para nisjes për Bruksel, shefi i delegacionit të Serbisë, Marko Gjuriq ka mohuar se në takim do të diskutohet njohja e Kosovës. Ai ka thënë se pos temës së të zhdukurve, do të diskutohet edhe për zhvillimin ekonomik dhe për marrëveshjet e arritura më parë në dialog, e të cilat nuk janë zbatuar.
Bashkimi Evropian as kësaj radhe nuk dëshiron të japë sqarime se cilat tema saktësisht do të diskutohen në këtë takim. Vetëm përsërisin se “vet palët ishin pajtuar për temat” dhe se qëllimi final i dialogut është “arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, e cila do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura”.
Zëdhënësja për çështje të jashtme, Nabila Masrali, vetëm e ka konfirmuar se sot vazhdon dialogu në nivelin e ekspertëve dhe ka rikujtuar prononcimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak pas takimit të javës së shkuar ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.
“Kosova dhe Serbia janë ftuar që të dërgojnë ekspertët e tyre dhe të vazhdojnë diskutimet për çështjet për të cilat tashmë është folur edhe në takimin në nivelin e liderëve të enjten e shkuar. Nëse këtë fazë nuk do të ndajmë më shumë informacione sa i përket takimit në nivel të ekspertëve”, ka thënë ajo.
Pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut, më 16 korrik dialogu rifilloi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndryshe, drejtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, e sheh nisjen e procesit të bisedimeve si shansin më të mirë për të përfshirë temën e të pagjeturve në marrëveshjen finale Kosovë –Serbi.
Kjo, sipas Blakajt, do të intensifikonte punën në mes të institucioneve të të dyja vendeve për të gjurmuar dhe hetuar rastet që ende nuk janë zgjidhur.
“Është e qartë se është e pamundur që të zbardhet fati i personave të zhdukur para një marrëveshjeje finale. Pra, krejt çka mbetet është që kjo temë të diskutohet në dialog dhe në marrëveshjen finale palët të zotohen që do të angazhohen maksimalisht në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, thotë Blakaj.
Sipas autoriteteve në Kosovë ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.
Paralajmërimet për rinisjen e dialogut teknik nuk u mirëpritën në Prishtinë, ku përveç partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, u kundërshtua edhe nga partnerët e koalicionit, Nisma Socialdemokrate, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por edhe nga Presidenca.
Kryeministri Hoti megjithatë është deklaruar se nuk do të ketë vazhdim të dialogut teknik – që nisi më 2011 dhe i parapriu atij në nivelin politik – por, që Kosova do të dialogojë vetëm për marrëveshje finale, e cila sipas tij duhet të përmbajë njohje reciproke./REL























