Lirim Kastrati për RTK-në: Mezi pres ta veshë fanellën e Dinamos

Lirim Kastrati për RTK-në: Mezi pres ta veshë fanellën e Dinamos

Futbollisti i ri i Kombëtares së Kosovës, Lirim Kastrati, në shkurt të këtij viti ka nënshkruar për gjigantin kroat Dinamo Zagreb. Ai ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm me Lokomotivën e Zagrebit, skuadër e cila për herë të parë në histori u kualifikua për Ligën e Kampionëve, teksa mbrëmë pësoi humbje në finale të Kupës së Kroacisë kundër Rjekës.

Në një intervistë për “Arena Sportive” në RTK, Kastrati ka thënë se ndeshja e mbrëmshme ishte e fundit në fanellën e Lokomotivës. “Po, mbrëmë ishte ndeshja ime e fundit me Lokomotivën. Patëm një paraqitje të mirë, por fatkeqësisht pësuam humbje. Do t’i jem falënderues gjithmonë këtij klubi për mundësinë e dhënë gjatë këtyre tri viteve. Ky ishte sezoni im më i mirë? Po, duke pasur parasysh se kam vetëm dy vite në Superligën e Kroacisë, mendoj se ky ka qenë edicioni më i mirë dhe shpresoj se do të kem ecuri të mirë edhe me Dinamon”, ka theksuar Kastrati.

Ai e ka pranuar se e pret me padurim t’i bashkohet Dinamos dhe të tregojë vlerat e tij në mënyrë që një ditë të arrijë në ndonjë klub edhe më të madh. “Gjithë e dimë se çfarë ekipi i madh është Dinamo. Qysh kam nënshkruar me Lokomotivën ka qenë një ëndërr që të kalojë te Dinamo, sepse dihet çfarë lojtarësh të mëdhenj ka shitur ky klub. Mezi pres ta veshë fanellën e këtij klubi dhe të kem paraqitje të mira. Transferimi në Dinamo nuk ka qenë aq shumë për aspektin financiar, sepse ka pasur oferta edhe më të mira financiare, por për mua si 21-vjeçar ka qenë e nevojshme të kaloj në një klub ku mund të zhvillohem ende si lojtar. Unë Dinamon e shoh si një tjetër trampolinë për të arritur në një ekip më të madh.
Kalimi te Dinamo është realizimi i gjysmës së ëndrrës time. Do të vazhdoj të punoj vazhdimisht për të arritur edhe më shumë”, ka nënvizuar Kastrati.

Tutje talenti nga Hogoshti ka thënë se deri këtu ka arritur falë punës së tij, prandaj edhe në të ardhmen do të mbështetem tek puna, teksa ka falënderuar klubin ku e ka nisur karrierën KF Kika.

Kastrati ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës dhe për zërat se ai mund t’i bashkohet Kombëtares së Shqipërisë, duke pasur parasysh se deri më tash ende nuk e ka fituar besimin e trajnerit Challandes në ndeshje zyrtare.  
“Aty ku mundem të ndihmojë gjithmonë do të jem i gatshëm. Pa marrë parasysh me Kombëtaren A apo me U21. E kam zgjedh Kosovën dhe jam krenar që jam pjesë e kësaj kombëtareje. Jam vazhdimisht në kontakt me trajnerët Bernard Challandes dhe Rafet Prekazi. Gjithmonë kur vi të luaj për Kosovën e jap maksimumin dhe mundohem të arrijmë rezultate sa më të mira. Kalimi i mundshëm te Shqipëria? Jo, jo nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk kam kontakte që një vit e gjysmë me Kombëtaren e Shqipërisë. Kur kam vendosur të luaj për Kosovën kam vendos me zemër dhe kurrë nuk e vë në dyshim atë vendim dhe nuk i bie pishman. Jam i lindur në Kosovë dhe kam gjak Kosove dhe gjithmonë jam krenar me zgjedhjen time”, është shprehur tutje Kastrati.

Ai në fund ka dhënë një mesazh edhe për fëmijët e Kosovës, duke thënë se pa marrë parasysh ku janë lindur dhe ku jetojnë nëse kanë dëshirë dhe vullnet për punë mund të arrijnë shumë.