Shqipëri, SPAK sekuestron pronat e Ylli Ndroqit

Shqipëri, SPAK sekuestron pronat e Ylli Ndroqit

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi sot se Gjykata ka pranuar kërkesën e saj për vënien nën sekuestro të pasurive të sipërmarrësit dhe pronarit të RadioTelevizionit ORA, Ylli i Ndroqi, i dyshuar të jetë përfshirë në të kaluarën, në trafik droge.

Sipas njoftimit zyrtar, në vitin 1998, Ylli Ndroqi rezulton të jetë arrestuar në Turqi, nën emrin Xhemal Pasmaçiu, si pjesë e një grupi të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. “Në datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë “ESAS”, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu”. SPAK, shpjegon se “nga të dhënat e siguruara nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Qëndrore Kombëtare, Interpol-Ankara, Turqi, është konfirmuar se shtetasi Ylli Bahri Ndroqi, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) Pasmaciu (Pasmaçiu), i arrestuar në Turqi”.

Po ashtu sipas SPAK-ut, “Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol ka përcjellë të dhëna për aktivitetin kriminal të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), të siguruara nga Interpol Roma/Itali. Autoritetet italaine kanë konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit “BAKLLAVA”, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në vijim ai u arrestua më datë 17.02.2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos”.

Në kuadër të ligjit Antimafia, Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e një numri të madh automjetesh luksoze, pronash, dhe aksionesh të zotëruara nga Ylli Ndroqi dhe familjarët e afërt me të, duke qenë se sipas njoftimit, “nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali”.

Sipas njoftimit zyrtar për administrimin dhe përdorimin e pasurive të sekuestruara “gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Shoqëritë që kanë aktivitet, përfshirë dhe mediat televizive, do vazhdojnë aktivitetin e tyre, por të administruara nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”.

Pasdite pranë mjediseve të Radio Televizionit ORA, janë shfaqur mjete dhe forca të njësive speciale të policisë. Për Drejtorin e Informacionit të RTV ORA Brahim Shima, prania e policisë është një frikësim ndaj gazetarëve dhe punës së tyre për të thënë të vërtetën. “Një numër kaq i lartë i policisë pranë një institucioni që kërkon të shprehë mendimin e lirë, është absurd”, deklaroi ai në ekranin e televizionit që drejton, duke theksuar se vendimi i SPAK-ut është politik, duke e argumentuar këtë me një sërë kronikash kritike të televizionit ORA ndaj pushtetarëve si dhe me një padi që zoti Ndroqi ka ngritur ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për shpifje. Padia ndaj zoti Veiaj është dorëzuar në 19 qershor të këtij viti. Objekt i çështjes gjyqësore janë reagimet që kryebashkiaku ka bërë teksa pyetej nga gazetarët të RTV ORA, për një sërë lajmesh. Zoti Veliaj është paditur gjithashtu dhe për mos kallëzim krimi, pasi në media ka folur dhe për persona që kanë tentuar t’i vënë gjoba kryetarit të bashkisë.

Edhe për avokatët e Ylli Ndroqit, çështja ka një sfond politik “për shkak të procesit gjyqësor mes zotit Ndroqi dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, duke paralajmëruar ankimimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit./VOA


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare