Ministria e Mbrojtjes njofton për situatën e zjarreve në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes njofton për situatën e zjarreve në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes informoi mbrëmjen e së mërkurës rreth situatës me zjarret në vend, ku të paktën 10 vatra mbeten ende aktive. Në një njoftim për shtyp, ministria tha se deri më tani: janë shuar 3 vatra zjarri në qarkun e Dibrës, zjarri në malin e Kakarriqit është izoluar, zjarri në Katund të Vjetër, Rubik, ka ulur intensitetin, mbetet nën vëzhgim, nga 3 vatra zjarri në Fier, 2 janë lokalizuar dhe janë drejt përmirësimit, zjarri në ullishtet e Hekalit, Mallakastër është vënë nën kontroll.

Por ndërkohë mbeten së paku 10 vatra të tjera aktive, megjithëse ministria siguron se nuk përbëjnë rrezik për qytetarët dhe po mbahen nën vëzhgim: 4 vatra zjarri në Lezhë, zona Rana e Hedhun-Maja e Zezë, 1 vatër zjarri në fshatin Siman të Gramshit, policia po heton me dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme, 1 vatër zjarri në pyllin e Ballollit në Berat, por nuk përbën rrezik për qytetarët.

Nga janari deri në korrik autoritetet kanë pikasur 329 vatra zjarri, ku vetëm gjatë muajit korrik ka pasur 168.

Të mërkurën, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako njoftoi se nga këto zjarre janë djegur në total 598 hektarë bimësi, duke përfshirë dhe 2,419 rrënjë ullishte dhe 217 rrënjë pemëtarie.

Mirëpo prej fillimit të muajit gusht dhjetëra zjarre të tjera përfshinë Shqipërinë me raportime të ndryshme nga veriu në jug.

Për të ndihmuar me situatën në disa bashki të vendit ministria tha se ka angazhuar 200 ushtarë./Euronews Albania/.