Bartomeu: Lautaro pas Championsit

Bartomeu: Lautaro pas Championsit

Barcelona nuk ka hequr dorë nga ideja për të transferuar në “Camp Nou” sulmuesin argjentinas të Interit, Lautaro Martinez dhe këtë e konfirmon vetë numri një i klubit katalan, Josep Maria Bartomeu, në një intervistë të dhënë për BeIN Sports.

"Për Lautaron kemi pasur negociata të hapura me Interin, por për momentin kemi ndërprerë gjithçka. Megjithatë çështja nuk mund të quhet e mbyllur, pasi do të flasim sërish me Interin, kur të përfundojë Liga e Kampionëve”, deklaroi presidenti i klubit katalan.

Pas 3 sezonesh me fanellën e Paris Saint Germain, edhe braziliani Neymar ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer te Barcelona, ku mirëpritet edhe nga një pjesë e senatorëve të skuadrës, por Bartomeu nuk është optimist për një transferim të tillë.

“Paris Saint Germain nuk ka ndërmend ta shesë Neymar dhe për më tepër, nëse e bën, do të kërkojë një shifër të majme parash. Situata ekonomike e shkaktuar nga pandemia Covid-19 nuk është aspak e mirë, ndaj do të jetë e pamundur të paguajmë për kartonin e Neymar”, u shpreh Bartomeu.

Në fund numri një i klubit katalan kritikoi edhe presidentin e Napolit Aurelio De Laurentiis, i cili pak ditë më parë i kërkoi UEFA-s, që ndeshjen e kthimit ndaj Barcelonës të mos e luajnë në “Camp Nou” për shkak të situatës aspak normale të krijuar nga pandemia.

“Nuk jam dakord me atë që ka thënë De Laurentiis. Ai ka arsyet e tij, por na takon neve që të bëjmë gjithçka për t’iu rikthyer normalitetit dhe normalitet është kur skuadra luan në stadiumin e saj. Përgjigjen më korrekte e ka dhënë UEFA, që ka kërkuar zhvillimin e ndeshjes në “Camp Nou’, duke respektuar protokollin e miratuar më herët’, tha presidenti i Barcelonës.