Vdekje, lëndime e aksidente në rrugët e Kosovës brenda një dekade

Vdekje, lëndime e aksidente në rrugët e Kosovës brenda një dekade

Rrugët e Kosovës shumë shpesh janë mbuluar me gjak nga aksidentet me vetura. Mijëra qytetarë kanë mbetur të vdekur, mijëra tjerë kanë pësuar lëndime. Brenda një dekade llogaritet se kanë ndodhur mbi 180 mijë aksidente në rrugë, ku kanë mbetur të lënduar 53 mijë qytetarë, derisa kanë vdekur 1 mijë e 98.

Mbi 350 aksidente fatale janë regjistruar në rajonin e Prishtinës përgjatë viteve 2010-2019, përderisa numri më i madh i këtyre aksidente ishte shënuar në vitin 2010, kur ishin regjistruar 48 aksidente të tilla.

Në rajonin e Gjilanin në dekadën e fundit janë regjistruar 116 aksidente fatale, ndërsa numri më i madh i aksidenteve të tilla ishte regjistruar në vitin 2012 me 19 sosh.

Rajoni i Ferizajt ka regjistruar 5 aksidente fatale më pak se rajoni i Gjilanit në dekadën e fundit.

Në rajonin e Prizrenit gjatë viteve 2010-2019 janë regjistruar 146 aksidente fatale, përderisa në rajonin e Gjakovës 52 të tilla, raporton FaktePlus.

Në rajonin e Pejës gjatë dekadës së fundit janë shënuar 200 aksidente fatale. Në rajonin e Mitrovicës së Jugut janë shënuar 99 aksidente fatale, ndërsa në Mitrovicën e Veriut janë regjistruar 22 aksidente fatale. Numri total i njerëzve që kanë vdekur në rrugët e Kosovës përgjatë dhjetë viteve është 1 mijë e 98 persona

Për 10 vite, 180 mijë aksidente trafiku në Kosovë

Në dekadën e fundit, përkatësisht gjatë viteve 2010-2019, në Republikën e Kosovës janë regjistruar rreth 180 mijë aksidente trafiku. Këto statistika bëhen të ditura në raportin e përbashkët të botuar së fundmi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit dhe Policia e Republikës së Kosovës.

Sipas këtij raporti, numri më i madh i aksidenteve të përgjithshme gjatë dekadës së fundit është regjistruar në vitin 2013, kur kanë qenë gjithsej 19954 aksidente, ndërsa numri më i vogël i aksidenteve të komunikacionit është regjistruar në vitin 2018, kur kanë qenë 15741 sosh.

Numri i përgjithshëm i aksidenteve gjatë dekadës së fundit.

Vitet       Aksidentet

2010      18030

2011       18888

2012       19754

2013       19954

2014       16300

2015        17722

2016        18541

2017        17695

2018       15741

2019       16199

Mbi 53 mijë qytetarë të lënduar në aksidente trafiku

Nga rreth 180 mijë aksidente trafiku të regjistruara përgjatë viteve 2010-2019 në Republikën e Kosovës, mbi 53 mijë kanë qenë më lëndime.

Sipas një raporti të përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe Policisë së Republikës së Kosovës, numri më i vogël e aksidenteve me të lënduar është regjistruar në vitin 2010, kur kanë qenë 4326 aksidente me lëndime, ndërsa numri më i madh i aksidenteve me lëndime është regjistruar në vitin 2017, kur kanë qenë 6390 të tilla.

Nga të gjitha rajonet e Kosovës, Prishtina prinë për nga numri i aksidenteve në komunikacion. Kjo gjë bëhet e ditur në raportin: Dekada e sigurisë 2010-2019 të përgatitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Policia e Kosovës. Pas Prishtinës për numrin më të madh të aksidenteve radhitet rajoni i Prizrenit, ai i Pejës, etj.