Mbyllen pikat e kalimit kufitar me Greqinë nga ora 22:00-06:00

Mbyllen pikat e kalimit kufitar me Greqinë nga ora 22:00-06:00

Policia e Shtetit njofton qytetarët shqiptarë për oraret e lëvizjes në pikat e kalimit kufitar me Greqinë.

Sipas njoftimit të Policisë, autoritetet policore greke, njoftojnë se duke filluar nga mbrëmja e sotme e në vijim, nga ora 22:00 deri në orën 06:00, pikat e kalimit të kufirit Kakavijë dhe Kapshticë nga pala greke do të jenë të mbyllura për udhëtarët dhe automjetet, si në hyrje, edhe në dalje të Greqisë.

Policia sqaron se, pikat e kalimit do të jenë të hapur për qytetarët dhe automjetet çdo ditë nga ora 06:00 deri në 22:00. Policia e Shtetit fton qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që të  shmangin lëvizjet dhe udhëtimet gjatë orarit që pikat e kalimit janë të mbyllura pasi mjetet dhe udhëtarët nuk do të lejohen nga Policia Kufitare që të parkojnë apo qëndrojnë në territorin doganor e kufitar.

Gjithashtu Policia e Shtetit njofton qytetarët se duke filluar nga data 16 gusht 2020, shtetasit që hyjnë në Greqi nëpërmjet pikës së kalimit të kufirit Kakavijë dhe Kapshticë, do të karatinohen për 7 ditë. Lejohet të kalojnë kufirin vetëm shtetas grekë, shtetas shqiptarë e të huaj me leje qëndrimi greke dhe minoritarë me kartën përkatëse. Shtetas të BE-së apo me leje qëndrimi në vendet e BE-së dhe vendet e tjera të treta nuk lejohet të hyjnë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës për në Greqi.

Policia e Shtetit apelon që të gjithë qytetarët të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për lëvizjet në kufi si dhe të respektojnë me rigorozitet masat mbrojtëse me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19./ATSh