Immobile: Përjetë bardhekaltër!

Immobile: Përjetë bardhekaltër!

Sezoni që sapo mbaroi ishte ai i shenjtërimit të vërtetë për Ciro Immobilen, i cili festoi një arritje historike të dyfishtë: golashënuesi më i mirë në Serinë A dhe fitues i “Këpucës së Artë” në Europë. 

Cristiano Ronaldo gjithashtu duhej “të përkulej” para fuqisë shkatërruese të “bomberit” Lazio. Immobile shpërtheu nën drejtimin e Simone Inzaghit, duke shënuar emrin në regjistrin e artë të futbollit italian. Me një “CV” kaq të pasur, sidomos nga “kualifikimet” e sezonit të fundit, janë të pashmangshme zërat e merkatos për sulmuesin më të mirë të momentit në Serinë A.

Por Ciro nuk ka asnjë dilemë sa i përket të ardhmes së tij, e cila do të mbetet e pikturuar me ngjyrat bardhekaltër.

“Kam ndërmend të lidhem përgjithmonë me Lazion. Rinovimi do të jetë tre vjet, kështu që kontrata do të skadojë në vitin 2025, kur të bëhem 35 vjeç. Para se të mbërrija te Lazio, kontaktet me Napolin ishin të shpeshta, por për një arsye apo një tjetër nuk u arrit marrëveshja. Napoli është qyteti ku unë kam lindur, gjithmonë e ndjek Napolin me dashuri, por ajo që Lazio më ka dhënë dhe po më jep është e paçmueshme “, – deklaroi Immobile në një intervistë për “Corriere dello Sport”.

Me pak fjalë, tani priten hapa zyrtarë, por Immobile dhe Lazio së shpejti do të mbajnë premtimin e tyre për një “martesë” afatgjatë.