UEFA e shpërblen Linfieldit, e kualifikon me fitore në tavolinë ndaj Dritës

UEFA e shpërblen Linfieldit, e kualifikon me fitore në tavolinë ndaj Dritës

Drita ka konfirmuar zyrtarisht se është njoftuar nga shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA për fatin e ndeshjes ndaj Linfieldit.

Ndeshja në fjalë ishte e vlefshme për rundin preliminar të Ligës së Kampionëve, derisa ishte paraparë të luhej dje në Nyon të Zvicrës.

Megjithatë, pas rasteve pozitive me COVID-19 te klubi gjilanas, autoritetet zvicerane në koordinim me UEFA-n anuluan ndeshjen.

Komisioni i Apelit në UEFA vendosi që ndeshja të anulohet përfundimisht dhe Linfieldit t'i takojë fitorja me rezultat zyrtar, 0:3.

Kështu, Linfieldi do të kualifikohet direkt në rundin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, ku në Poloni do të përballet me Legia Varshavën.

Nga kjo "fitore", skuadra nga Irlanda e Veriut do të arkëtojë si bonus nga UEFA 250 mijë euro.

Ndryshe, Drita është befasuar nga një vendim i tillë i UEFA-s, derisa thonë se ta dërgojnë këtë çështje në duart e avokatëve.

Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi  është i bindur në drejtësinë e klubit gjilanas.

Ai ka thënë se tashmë kanë filluar kontaktet me disa avokatë të huaj për t'ua lënë në dorë këtë çështje.

"Jemi të bindur një milion përqind në drejtësi dhe në pafajësinë tonë. Tashmë kemi nisur kontaktet edhe me disa avokatë të huaj", deklaroi Valon Zymberi.

"Avokatët janë nga Anglia dhe Italia, ata janë optimist se do ta fitojmë këtë çështje", zbuloi Zymberi për "Zeri.info".