Debat i ashpër në Parlament, lidhur me situatën në Karaçevë
Në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës është debatuar me një ton të theksuar edhe për situatën e krijuar në Karaçevë, pas hyrjes së xhandarmerisë serbe atje.
Pikiërisht, për këtë veprim provokativ nga xhandarmeria serbe ka reaguar zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, i cili tha se defilimi i forcave serbe me ato të KFOR-it bashkërisht, ka qenë një gabim, të cilin duhet të përmirësojmë ne si Qeveri.
Ndërkaq ndërhyrjen e xhandarmerisë serbe në Karaçevë, opozita e vlerësoi si më të rëndin kohëve të fundit.
Kështu vlerësoi deputeti nga radhët e VV-së,Artan Abrashi, i cili kritikoi ashpër Qeverinë Hoti, duke theksuar se “ky është një nga incidentet më të rënda pas vitit 2012”.
Ndërkaq deputetja Ganimete Musliu, nga radhët e PDK-së, deklaroi se “hyrja e xhandarmerisë serbe në atë zonë dhe kontrollet që u bëjnë popullatës atje, është një kërcënim direkt për qytetarët e Karaçevës, në veçanti dhe për Kosovën në përgjithësi”.
Kurse kritika për drejtuesit e institucioneve të sigurisë së vendit pati deputeti nga radhët e AAK-së, Bekë Berishaj, i cili tha se “na kemi problem në Komisionin për Siguri se nuk na vjen Ministri i Punëve të Brendshme. Drejtori i Policisë, po ashtu, s’guxon me ardhë. Ky i Mbrojtjes thotë se nuk ka kohë më shumë se 10-15 min. Këta persona nëse i kanë marrë detyrat, atëherë le të përballen me përgjegjësinë”. RTKLive























