Mësimdhënësit gati për fillimin e mësimit, shqetësues shkurtimi i buxhetit

Mësimdhënësit gati për fillimin e mësimit, shqetësues shkurtimi i buxhetit

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ministria e Arsimit po e sheh të pamundshëm që nxënësit të kthehen plotësisht në shkollë për shkak të numrit të madh të rasteve me Coronavirus.

Për këtë, Jashari tha se kanë një version për klasat e para, të dyta, klasat e gjashta dhe të dhjeta që kthimi në shkolla të jetë i pjesshëm dhe duke respektuar masat në përpikëri.

 “Ne mendojmë që viti i ri shkollor në cilëndo formë që e ka propozuar MASh-i do të fillojë dhe nuk do të ketë pengesa nga SBASHK-u. Të gjithë po presin me padurim të shohin se çfarë do të bëhet me vitin e ri shkollor dhe ministri Likaj me kabinetin e tij edhe publikisht kanë dalë me tri mundësi që të kthehemi plotësisht në shkollë të cilin edhe ata e kanë vlerësuar për shkak të numrit të madh të  rasteve me Coronavirus si të pamundshëm”.

“Edhe ata e kanë një version që të jetë një kthim i pjesshëm duke përmendur klasat e para, të dyta, klasat e gjashta dhe të dhjeta dhe duke arsyetuar ata se klasa e parë është për herë të parë në mësim dhe e ka të vështirë në platformë, njohuritë e duhura dhe së fundi ajo trema që kishim me mësimin në distancë i cili mësim kishte vështirësi, mirëpo për SBAShKU-n kishte edhe arritje”.

Ai tha se në takimin virtual të mbajtur me kryeministrin Avdullah Hoti kanë diskutuar edhe shkurtimin e buxhetit për 11 milionë euro.

Sipas tij, zvogëlimi i buxhetit në këtë periudhë është gabim, kur dihet se duhen mjete shtesë për fillimin e vitit të ri shkollorë.

“Ne i kemi bërë vërejtje edhe pse Qeveria me rishikimin e buxhetit ka shkurtuar buxhetin për 11 milionë. Ky është një gabim sepse pikërisht në kthimin e vitit shkollor duhen mjete shtesë. Shteti ynë duhet të ketë buxhet të caktuar të dedikuar vitit të ri shkollor sepse kërkesat do të jenë të mëdha”.

Tutje, Jashari shtoi se organizimi më i lehtë do të ishte për studentët ngase janë më të rritur dhe i kuptojnë masat e dhëna nga IKShPK-së.

Sipas tij, frika më e madhe është te fëmijët e arsimit parauniversitar, sepse ata janë më pak në gjendje t’i respektojnë masat dhe distancën sociale.

Kryetari Jashari potencoi se nëse fillohen të paraqiten rastet e para me Coronavirus brenda shkollave do t’i kërkojnë Këshillit  Drejtues, në mënyrë që mësimi të ndërpritet, raporton EO.

“Në fakultete më lehtë do të ishte organizimi i mësimit fizik ngase kemi të bëjmë me studentë që janë të rritur dhe ata dinë të kuptojnë masat mbase edhe ti respektojnë ato që i ka dhënë IKShPK. Unë kam frikë se fëmijët e arsimit parauniversitar më pak janë në gjendje t’i respektojnë masat, distancën sociale”.

“Një pjesë e Drejtorive Komunale se gjoja kanë bërë përgatitje ata e pranojnë që të bëhet mësimi nën mbikëqyrjen e tyre por nga përvojat e viteve të kaluara SBAShK-u me ta kanë thënë se ata në fillim janë të angazhuar dhe angazhimi i tyre sa vjen e bie. Nëse fillohen të paraqiten rastet e para me Coronavirus brenda shkollave ne do të kërkojmë që të thirret Këshilli Drejtues dhe të marrim vendim që mësimi i tillë të ndërpritet”, shtoi ai.

Ai tha se kanë pritur që Kuvendi do ta ketë një seancë të veçantë ku do të debatohet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe do të caktohen detyrat konkrete për Qeverinë dhe MASh-in, raporton Ekonomia Online.

“Kjo çështje sa i përket masave nuk duhet ti mbetet vetëm një institucioni me të duhet të merret edhe Parlamenti. Unë kam pritur që parlamenti i Kosovës do ta ketë një seancë të veçantë ku do të debatohet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe do të caktohen detyrat konkrete për Qeverinë, MASh-in. Edhe prindërit duhet të marrin detyrat e veta sepse pa prindërit fillimi i vitit të ri shkollorë do të jetë shumë i vështirë”.

Mes tjerash, Jashari theksoi se që nga e hëna do të fillojnë me mbledhjet virtual me kryetarët e niveleve komunale dhe universitare, për ta parë opsionin sa i përket fillimit të vitit të ri shkollor.

“Mësimdhënësit e Kosovës janë në pritje se cili version do të jetë i pranueshëm nga institucionet dhe nga IKShPK-ja. Ne nga e hëna do të fillojmë me mbledhjet virtuale me kryetarët e niveleve komunale dhe universitare dhe do ta shtrijmë bisedën edhe me kryetarët e shoqatave për ta parë opsionin e mësimdhënësve”.


MË SHUME NGA Aktuale