Zelanda e Re shënon shtatë raste të reja të koronavirusit

Zelanda e Re shënon shtatë raste të reja të koronavirusit

Shtatë raste të reja të infektimit lokal janë regjistruar në Zelandën e Re, në kohë kur vendi i largët po mundohet ta kontrollojë përhapjen pasi disa javë nuk kishte asnjë rast.

Sipas Ashley Bloomfield, drejtor i përgjithshëm i Shëndetësisë, gjashtë raste të reja ishin të ndërlidhura me një vatër të njohur më herët në Auckland, ndërsa prejardhja e një rasti tjetër është duke u hulumtuar.

Pesëdhjetë e katër persona të kontaktit të ngushtë të njerëzve të infektuar janë vendosur në qendra të karantinës. Deri më tani, 24 prej tyre kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Ministri i Shëndetësisë, Chris Hipkins, tha se në ditët e fundit nuk është regjistruar asnjë rast me prejardhje nga vendet e huaja.

Që nga 12 gushti, Zelanda e Re ka zbatuar politikë të rreptë të testimit, duke testuar rreth 50,000 persona për vetëm tri ditë. Vetëm të premten u testuan mbi 23,800 persona.


MË SHUME NGA Aktuale