RMV me kryeministër shqiptar, Rama: Ditë e shënuar
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përshëndetur marrëveshjen për formimin e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut, ku në paktin e LSDM dhe BDI parashikohet zgjedhja e një kryeministri shqiptar për 100 ditë të qeverisjes.
“Ditë e shënuar për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që falë marrëveshjes me fituesin e zgjedhjeve, Zoran Zajev, marrin një peshë të re në jetën politike të vendit fqinj. Urime të gjithëve, veçanërisht Ali Ahmetit, që me urtësinë e lidershipit të tij në vite ka bërë kaq shumë”, shkruan Rama.
Marrëveshja është përshëndetur dhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e konsideruar këtë gjë si një hap unik.
“Urime shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut - bashkimi bën fuqinë! Arritje unike dhe KM shqiptar, qofte dhe për 100 ditë si fillim, çdo progres nis me një hap të parë”, shprehet Veliaj.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kanë arritur marrëveshje për formimin e koalicionit qeverisës. Maqedonia e Veriut do të ketë për herë të parë një kryeministër shqiptar sipas marrëveshjes. Ahmeti tha se është rënë dakord që kjo të realizohet vetëm për 100 ditë gjatë mandatit qeverisës LSDM-BDI.























