Kandiq: Haga kurrë nuk publikoi akuza të pakonfirmuara si Gjykata Speciale
BKT
Lajme

Kandiq: Haga kurrë nuk publikoi akuza të pakonfirmuara si Gjykata Speciale

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka dhënë intervistë ekskluzive për Gazetën Standard.

Gazeta Standard ka dashur të marrë një mendim nga një prej njohëseve më të mira të luftërave në ish-Jugosllavi rreth publikimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit, të dy që konsiderohen prej emrave më të fuqishëm në skenën politike.

Natasha Kandiq beson se publikimi i aktakuzës nga Prokuroria e Specializuar përbën precedent.

“Mendoj se Prokuroria e Specializuar vendosi precedent duke publikuar një aktakuzë që nuk është konfirmuar. Gjykata e Hagës nuk e ka bërë kurrë atë. Duke pasur parasysh deklaratën që tregon fushatat e fshehta të kryera nga Presidenti i Kosovës dhe Kadri Veseli për të ndaluar punën e gjykatës, është e mundur që prapa këtij vendimi të ketë akte dhe procedura të rrezikimit të punës së gjykatës. Unë pres që Zyra e Specializuar e Prokurorisë të sigurojë më shumë informacion dhe prova në lidhje me arsyet e publikimit të aktakuzës së pakonfirmuar. Ekzistojnë spekulime se presidenti i Kosovës kishte një premtim se do të amnistohej nëse ai formonte një aleancë të komunave serbe. Ju duhet të pyesni Presidentin e Serbisë për këtë dhe të dërguarin amerikan Grenell”, theksoi Kandiq.

Në anën tjetër Milaim Zeka beson se publikimi i aktakuzës pa u konfirmuar përbën gabim trashanik nga Prokuroria e Specializuar.

“Për dallim nga Natasha Kandiq, unë nuk mendoj që publikimi i aktakuzës në një far forme ka rrezikuar punën e Gjykatës, përkundrazi ata nuk kanë  bërë asnjë rrezikim, por e kanë komprementuar punën e prokurorisë. Nga ana e prokurorisë ka qenë një autogol dhe një diçka e pashembullt. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në vendet perendimore, kurse te ne ndodh gjithmonë domethënë në Kosovë e në vendet ballkanike, por sidoqoftë unë mendoj qe ka qenë një gabim fatal nga ana e prokurorisë edhe pse ata e kanë arsyetuar se gjoja Thaçi dhe te tjerët kanë pasur tendenca për zhbërjen e gjykatës speciale”, u shpreh Zeka për pohimin e Kandiq.

Natasha Kandiq që vazhdon të jetë prej zërave që fuqishëm kërkon nxjerrjen para drejtësisë së kryerësve të krimeve të luftës, beson se Bashkimi Evropian duhet të kushtëzojë rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së me nxjerrjen para drejtësisë të kriminelëve të luftës në Kosovë.

“Duke pasur parasysh numrin e madh të viktimave shqiptare të krimeve të luftës, unë besoj se BE duhet të kushtëzojë përparimin e Serbisë në integrimin evropian duke intensifikuar gjykimin e anëtarëve të VJ dhe policisë për krime kundër civilëve shqiptarë. Gjykimet para Këshillave të Specializuar të Kosovës janë të nevojshme për drejtësi për të gjithë viktimat, shqiptar, serb dhe rom, pas 12 qershorit 1999”, tha Kandiq.

Ndërkaq, Milazim Zeka nuk pajtohet me Kandicin kur flet për relevancën e BE-së në raportet mes Serbisë dhe Kosovës, nga se vlerëson rolin e SHBA-ve si kyç për shtetësinë e Kosovës.

“Së pari projekti evropian dhe ndërkombëtar, pas luftës në Kosovë deri ne vitin 2008 ka qenë projekt për rikthimin e Kosovës nën fotelen e Serbisë, po te mos ishin SHBA-të ne akoma do te ishim nën administrimin e OKB-së që në fakt ka qenë administrim gjysmë serb e gjysmë OKB. Te gjitha fitoret e mëdha që i ka korrë Kosova, si me shpalljen e pavarësisë ose me formimin e ushtrisë, janë falë SHBA-ve. Është e vërtetë që duhet, por as 0.001% nuk pres që Evropa do të marrë ndonjë veprim kundër kriminelëve serb te cilët kanë kryer krime në Kosovë. Pse nuk do te ndodh një gjë e tillë? Sepse ndikimi i Serbisë dhe ndikimi i Rusisë në Evropë është shumë më i madh sesa ndikimi amerikan. Dhe në bazë të kësaj, krerët politik shqiptar, qoftë në Prishtinë qoftë në Tiranë, duhet ta kuptojnë që Rusia është shumë e fortë në Evropë ekonomikisht, e furnizon me gaz gjysmën e Evropës, dhe evropianët apo perendimorët ndertojnë marrëdhënie politike në mes shteteve mbi bazën e interesit ekonomik. Nuk ka jarani në Evropë ashtu si ne mendojmë, jarani ka në Evropë vetëm nëse ti je i fortë dhe ke forcë ekonomike. Kosova nuk prodhon as domate e as tranguj, vetëm një kompani në Kosovë blen 1 milion pula nga Gjermania, kështu që ne nuk kemi kurfar force ekonomike e as poltike për të ndikuar në proceset evropiane ose amerikane”, u shpreh Zeka duke hedhur poshtë rolin e BE-së.

Natasha Kandiq më tej vlerëson se shumë pak ose fare janë vënë para drejtësisë kryesit serb të krimeve të luftës.

“Të dhënat janë shkatërruese. Para gjykatës për krime lufte në Beograd, u dënuan 15 pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë, pesë anëtarë të policisë për vrasjen e 14 grave dhe fëmijëve në Podujevë, katër anëtarë të policisë për vrasjen e 50 civilëve në Suharekë, tre anëtarë të VJ për vrasjen e disa civilëve në fshatin Kushnin (komuna e Prizrenit), 1 anëtar i VJ për vrasjen e disa civilëve në fshatin Tërrnje (komuna e Suharekës), një anëtar i policisë për vrasjen e një civili në Rahovec dhe një anëtar të policisë për vrasjen e një civili në Podujevë. Fondi Humanitar ka ngritur kallëzime penale kundër të paktën 10 oficerëve të nivelit të lartë dhe të mesëm të Ushtrisë Serbe dhe Ministrisë së Brendshme, por Prokuroria nuk ka ngritur asnjë aktakuzë. Këto të dhëna tregojnë pa mëdyshje se liderët politikë serbë nuk i njohin viktimat shqiptare dhe se Prokuroria mbron autorët e krimeve nga përgjegjësia penale. Nëse i shtojmë asaj se gjeneralët, të dënuar para Gjykatës së Hagës, festohen si heronj, atëherë Serbia është larguar nga sundimi i ligjit dhe njohja e përgjegjësisë për rreth 7,000 civilë të vrarë shqiptarë”, theksoi ajo.

Kandic beson se Serbia angazhoi gjithë arsenalin e saj ushtarak në Kosovë – madje potencon se sot e kësaj dite pjesmarrës në luftën e Kosovës prentendojnë kompensime nga shteti serb.

“Nuk e di numrin e saktë, por imazhet e tërheqjes së forcave serbe nga Kosova tregojnë se Serbia kishte angazhuar të gjitha aftësitë ushtarake, përfshirë ushtarë të rinj, grupe të ndryshme vullnetare dhe paramilitare, polici të rregullt, forca speciale të policisë (PJP), rezervistë dhe vullnetarë. Familjet e anëtarëve të vrarë të VJ dhe MUP-së janë duke e ushtruar të drejtën e tyre në bazë të ligjit, dhe rezervistët ende po padisin shtetin për pagesa të papaguara për ditët e luftës në Kosovë”, konfirmoi drejtoresha e FDH, Natasha Kandiq.

Sipas Kandic, rruga e vetme që duhet të ndjekin Kosova dhe Serbia është të kompensojnë viktimat e luftës së fundit.

“Duke njohur viktimat dhe duke pranuar përgjegjësinë për veprat e kryera. Të dy vendet duhet t’u japin dëmshpërblime familjeve të viktimave të krimeve të luftës – Kosova, familjeve të viktimave serbe dhe Serbia, familjeve të viktimave shqiptare. Serbia duhet të tregojë ku janë varrezat masive dhe të gjenden personat e zhdukur, t’u mundësohet studentëve shqiptarë të studiojnë në Beograd dhe Kosova duhet t’iu mundësojë serbëve të vizitojnë varrezat dhe vendet ku kanë jetuar”, përfundoi Natasha Kandiq.


MË SHUME NGA Lajme