Të shtëna me armë zjarri në kryeqytet, nuk raportohet për viktima
Një incident me armë zjarri ka ndodhur sonte në Prishtinë, kur persona ende të panjohur për policinë, kanë shtënë pesë herë me armë zjarri në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha ka dhënë detaje lidhur me rastin.
“Sonte, rreth orës 21.20, policia ka pranuar një informacion se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë ka të shtëna me armë zjarri. Njësitet policore iu janë përgjigjur menjëherë informatës dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur një person mashkull, i cili ka deklaruar se derisa ishte duke dalë nga një market, dy persona të panjohur, të cilët kishin qenë një skuter, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Sipas tij, ai ka dëgjuar pesë të shtëna, por nuk është qëlluar”, ka thënë zëdhënësi Hoxha për KosovaPress.
Për momentin nuk raportohet për viktima eventuale, ndërkohë që policia ka nisur hetime për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.























