Procesi i tranzicionit të FSK-së po vazhdon sipas dinamikës së planifikuar

Procesi i tranzicionit të FSK-së po vazhdon sipas dinamikës së planifikuar

Me zbatimin e këtij plani FSK do të arrijë kapacitetet e plota operacionale me mision të ri dhe do të jetë e gatshme të bashkëveprojë me ushtritë aleate dhe në misione paqëruajtëse. Kështu deklaroi në një intervistë për Radio Kosovën ministri i Mbrojtjes, Anton Quni.

RADIO KOSOVA: Z.minister si po ecën procesi i tranzicionit të FSK-së në Ushtri të Kosovës?

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni: Plani i transformimit të FSK-së është plan i detajuar mirë, duke u realizuar në bazë të dinamikës së planifikuar. Me zbatimin e këtij plani FSK do të arrijë kapacitetet e plota operacionale me mision të ri, dhe do të jetë e gatshme të bashkëveprojë bashkë me ushtritë aleate edhe në misione paqeruajtëse.

RADIO KOSOVA: Cilat janë disa nga kapacitetet që duhet të plotësohen?

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni: E para është rekrutimi i stafit dhe personelit sipas ligjit, që duhet të jenë 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 3 mijë rezervë. Të bëhet armatosja individuale dhe kolektive, të jetë forcë mobilizuese brenda parametrave profesionalë, të ngritët mbi standardet dhe doktrinën e NATO-s dhe të jetë e ndërveprueshme me ushtritë e vendeve që janë anëtare të NATO-s. 

RADIO KOSOVA: A janë funksionalizuar të gjitha komandat që do t’i ketë FSK-ja?

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni: Është duke u punuar në këtë drejtim me intensitet të shtuar. Aktualisht janë funksionale dhe duke vepruar me kapacitet të plotë: Komanda e Forcave Tokësore, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe Komanda e Logjistikës. Në fazën e ngritjes të kapaciteteve është edhe Garda Kombëtare, kurse forcat ajrore janë në fazën fillestare, që nënkupton se është duke u punuar në planifikim, strukturë organizative, ngritje të kuadrit. Është lajm i mirë se tash vetëm kemi pilotët e parë të helikopterëve. Edhe në këtë drejtim do të vazhdohet të punohet sipas planeve të përgatitura dhe të miratuara në kuadër të planit gjithëpërfshirës të transformitmit të FSK-së.

RADIO KOSOVA: Forca e Sigurisë së Kosovës ka dërguar në shkollim një numër të konsiderueshëm të oficerëve të saj. Sipas jush, a do të mjaftojë kjo, apo do të duhej që ushtria e ardhshme të jetë vetëm profesionale apo të jetë edhe e obligueshme për qytetarët e Kosovës?

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni: Është e ditur tash se ne kemi   kadetë duke u shkolluar në akademitë më të njohura botërore si SHBA, Mbretërinë e Bashkuar,Gjermani,Turqi,Kroaci,Maqedoninë e Veriut,Shqipëri etj. Se si do të jetë ushtria e ardhshme e Kosovës, profesionale apo obligueshme, do të varet nga vendimi politik i udhëheqjes shtetërore. Ajo çka është më rëndësi është se ne jemi duke punuar mirë dhe me përkushtim në misionin aktual që kemi dhe me ligjet që janë në fuqi që përcaktojnë qartë misionin e FSK-së.

RADIO KOSOVA : Në cilat faza duhet të armatoset Forca Ushtarake ,ne e dimë që FSK-ja është forcë e armatosur lehtë?

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni:Në bazë të misionit që ka FSK është pajisur me armatim dhe mjete aq sa për të kryer detyrat e veta operacionale. Armatimi i FSK-së do të bëhet mbi planin e ngritjes dhe transformimit dhe në përputhje me misionin e ri që ka për mbrojtjen e vendit. Armatimi do të jetë proces në vazhdimësi krahas ngritjes së kapaciteteve të përgjithshme.

RADIO KOSOVA: Ministër si  do të ndikojë  rishikimi i pozicionit të NATO-s karshi FSK-së pas ndryshimeve ligjore që u bën në Kuvend rreth kapaciteteve dhe mandatit të FSK-së.

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni:  Anëtarësimi në NATO është aspiratë dhe objektiv shtetëror i Kosovës. NATO është në Kosovë dhe me FSK kanë bashkëpunim të mirë. FSK është ngritur nga NATO-ja dhe që nga fillimi është zhvilluar mbi doktrinën e NATO-s. NATO është prezent në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së përmes NALT-it ( Ekipi Këshillëdhënës Ndërlidhës i NATO-s) dhe kemi bashkëpunim  të mirë dhe intensiv në baza ditore.

RADIO KOSOVA: Është folur që shërbimi në FSK të jetë i obligueshëm. Sipas jush, a do të duhej të ishte ushtri e obligueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës apo vetëm profesioniste?

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni:  Ideja e shërbimit ushtarak të obligueshëm është në fazën e këshillimeve dhe ekspertizës,duhet të merret një vendim nga udhëheqja e lartë e shtetit në koordinim me  partneret tanë ndërkombëtarë, situatën e sigurisë dhe forcën ekonomike të vendit. Aktualisht ne vazhdojmë me punën në ngritjen dhe profesionalizimin e FSK-së mbi misionin që ka e që është i përcaktuar me legjislacionin në fuqi.

RADIO KOSOVA:E dimë që pjesëtarët serbë të FSK-së janë duke u përballur me sfida të shumta dhe kërcënime nga Serbia,si qëndron çështja e tyre ne FSK-në dhe a është plotësuar numri për minoritetet?

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni:  FSK  është e hapur për të gjitha komunitetet pa dallim. Ajo ka një numër të madh të pjesëtarëve të saj nga radhët e komuniteteve që shërbejnë me profesionalizëm dhe përkushtim. Ne si Ministri e FSK-ës i kushtojmë vazhdimisht vëmendje dhe angazhim të madh integrimit dhe rekrutimit të pjesëtarëve të komuniteteve në FSK,por gjithmonë duke ruajtur edhe kriterin profesional. Me komunitete të tjera jo serbe nuk ka ndonjë problem. Një problem i theksuar është me komunitetin serb që shërbejnë në FSK dhe që i janë nënshtruar një presioni të vazhdueshëm nga shteti serb. Kjo është shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut, sepse është e drejtë e gjithkujt të zgjedhë profesionin, punësimin dhe perspektivën e vet jetësore. Ne jemi të angazhuar vazhdimisht t’u dalim në ndihmë përmes mekanizmave dhe mundësive që kemi dhe mirëkuptim për problemet që ata kanë.

Radio Kosova: Diçka rreth konkursit për rekrutët e rinj të FSK-së?

Aktualisht është në fazën përmbyllëse procesi i rekrutimit të kadetëve të rinj për Qendrën e Studimeve Universitare të FSK-së. Mësimi do të zhvillohet në gjuhën angleze. Në të ardhmen do të jetë e hapur edhe për vendet e regjionit. Në të njëjtën kohë, ne kemi pasur konkurs edhe për zgjedhjen e kadetëve për vendet mike si SHBA, Gjermani, Kroaci, Turqi, Maqedoni. Deri më tani gjithçka ka shkuar mirë. Në të njëjtën kohë është hapur konkursi për rekrutimin e ushtarëve të rinj të FSK-së. Parashohim t’i pranojmë rreth 400 ushtarë të rinj. Sipas informatave, ka pasur një interesim shumë të madh nga të rinjtë duke përfshirë edhe gjininë femërore dhe të rinjtë e komuniteteve pakicë. 

 

Autor: Mejreme Tahirukaj


MË SHUME NGA Intervista