Zemaj: AKK dhe ATK i mbikëqyrin çmimet, jo MSH-ja
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj përgjegjësinë për kontrollimin e çmimeve për testimet në laboratorët privat të licencuar nga ky dikaster e ka hedhur tek Agjencioni Kosovar i Konkurrencës dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
Zemaj tha se si ministri kanë licencuar të gjitha laboratorët privat që i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e kërkuara.
Zemaj: Çmimi është Kompetencë e organeve tjera si AKK dhe ATK
“Ne kemi licencuar më shumë se 120 laboratorë jemi në proces të licencimit edhe të tjerëve dhe ministria e Shëndetësisë dhe Bordi për licencim të gjithë ata që do i plotësojnë kushtet dhe kriteret do të licencohen. Është kompetencë e organeve tjera të cilat i mbikëqyrin qoftë Agjencioni Kosovar i Konkurrencës, qoftë Administrata Tatimore e Kosovës, por ne e bëjmë punën tonë profesionale dhe kemi krijuar mundësi përtej kapaciteteve tona të ketë edhe testime në aspektin e laboratorëve të licencuar privat”,, tha ai.
Ministri Zemaj këto komente i bëri pas vizitës në Mjekimin Qendror Intensiv në Qendrën Klinike Universitare.
Gjatë këtyre ditëve u raportuar se qytetarët e Kosovës po paguajnë deri në 200 euro për një test PCR në laboratorin privat ““Medical & Laboratory Services”. Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i cili ka thënë se situata e pandemisë nuk guxon të përdoret për përfitime jashtë normave të ekonomisë së tregut. Hoti ka bërë thirrje që të raportohen rastet e keqpërdorimeve nga këto laboratorë.























