Meta mbledh palët për datën e zgjedhjeve
BKT
Shqipëri

Meta mbledh palët për datën e zgjedhjeve

Presidenti Ilir Meta ka nisur këtë mëngjes turin e takimeve me përfaqësuesit e partive kryesore politike në vend, për të vendosur mbi caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Dy takimet e para janë kryer me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe nënkryetarin e Partisë Republikane Arian Madhi.

Në përfundim të takimit, Idrizi është shprehur para medias se i ka kërkuar Metës që të vendosë datën më të afërt për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 2021, pasi vendi është në krizë.

Më tutje Idrizi është ndalur gjerësisht në debatin për paktin detar me Greqinë.

Nga ana tjetër nënkryetari i PR-së Arian Madhi, në përfundim të takimit me Metën, ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 18 prill. (intervali kohor për caktimin e një date është nga 15 prilli në 15 maj).

Një takim me Presidentin e ka zhvilluar dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së, i cili po ashtu ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen në një datë sa më të afërt.

“Zhvillimet ekonomike dhe shoqërore kërkojnë zhvillimin e zgjedhjeve, me procedurën më të shpejtë. Zgjedhjet mbeten një sfidë ende e paarrirë në vendin tonë. Qëndrimi ynë është i qartë, propozojmë datën më të shpejtë të mundshme konform legjislacionit në fuqi”, tha Dule.

Tashmë pritet që në zyrën e Metës të shkojnë përfaqësuesit e PS-së, PD-së dhe LSI-së, të cilët do të japin datat e tyre për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.


MË SHUME NGA Shqipëri