Shqipëri: Sfidat përpara zgjedhjeve, KQZ ende pa anëtar
BKT
Shqipëri

Shqipëri: Sfidat përpara zgjedhjeve, KQZ ende pa anëtar

Pavarësisht se së shpejti do të ketë një datë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, institucionet kanë ende disa sfida për realizimin e tyre, që nga ngritja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tek implementimi i teknologjisë.

Në një kohë kur Presidenti i Republikës zhvillon takime për caktimin e datës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, puna përgatitore nga ana e institucioneve përkatëse duket se është ende shumë mbrapa.

Ndryshimet kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor të miratuara në fund të muajit korrik nga ana e Kuvendit, kanë lënë shumë detyra për t’u zgjidhur përpara se sa shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit.

Sfida e parë është ngritja e institucioneve të administrimit zgjedhor. Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, KQZ u riformatua dhe përbëhet nga tri hallka, ku asnjëra prej tyre nuk është zgjedhur dhe do të kërkojë ende kohë.

E dyta është zbatimi i teknologjisë në zgjedhje. Ky ishte një kusht i panegociueshëm nga ana e opozitës joparlamentare dhe u pranua nga mazhoranca. Por për zbatimin e saj duhet të alokohen fondet nga qeveria, të prokurohen pajisjet si edhe të testohen, njofton euronews.

Sfidat e tjera më shumë se sa teknike, janë legjislative. Konkretisht, ndryshimi i Kushtetutës detyron ndryshime të tjera ligjore si përcaktimi i mandateve në zonat zgjedhore, përcaktimin e koalicioneve parazgjedhore, e madje edhe detajimin e funksionimit të listës së hapur.

Po tek këto detyrime futen edhe ndryshimet e 7 ligjeve që lidhen me marrëveshjen e 5 qershorit.

Me kaq shumë punë për të bërë, vetë institucionet nuk e kanë me nxitim, madje faqet e tyre zyrtare në internet nuk kanë bërë as azhornimin e Kodit Zgjedhor.


MË SHUME NGA Shqipëri