Berisha: Dalja nga koalicioni, ndër pikat e mbledhjes së Kryesisë së AAK-së
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha deklaroi se partia e tij është duke mbajtur mbledhje të kryesisë dhe në shqyrtim, ndër të tjera, është edhe pozita e AAK-së në qeverinë Hoti.
Mbrëmë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin Hoti për takimin e nivelit të lartë në Bruksel me presidentin Aleksandër Vuçiq.
Haradinaj ka thënë se do ta rishqyrtojnë qëndrimin në qeveri pasi Hoti nuk e ftoi përfaqësuesin e AAK-së në takim.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot ka mbledhur kryesinë për të diskutuar këtë çështje.
Deputeti i kësaj partie, Bekë Berisha i tha Gazetës Express se janë në mbledhje të kryesisë së partisë.
I pyetur se a janë duke e shqyrtuar në këtë mbledhje edhe daljen nga koalicioni qeverisës, Berisha tha se ndër të tjera është edhe kjo pikë në diskutim.
“Jemi duke mbajtur mbledhje të kryesisë dhe nuk është vetëm ajo pikë, kemi edhe çështje tjera”, tha ai.























