Basha kujton kryengritjen e Postribës: Beteja për Shqipërinë Evropiane
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kujtoi sot kryengritjen e Postribës duke e konsideruar si beteja për Shqipërinë Evropiane.
“8 shtatori i 1946-s është një ditë e veçantë dhe e nderuar në historinë e Shqipërisë. Ajo shënon nisjen e rezistencës së popullit shqiptar kundër diktaturës dhe përpjekjen mbarëkombëtare për t’u bashkuar me familjen europiane së cilës i përkasim”, tha Basha.
Në vijim Basha shton se “si çdo përpjekje për t’u larguar nga kthetrat e regjimi famëkeq komunist, kryengritja e Postribës shënoi edhe një plagë e dhimbshme në trupin e kombit tonë. Shtypja e saj e përgjakshme nga makineria terroriste e regjimit të Enver Hoxhës, do të mbahet mend gjatë për dhimbjen dhe shkretimin e familjeve të rëndësishme të elitës shoqërore, intelektuale e morale të Shqipërisë, si familjet e Jup Kazazit, Osman Haxhisë, Idriz Tahirit e Abdullah Sahitit”.
Vetëm në ditët e para të kryengritjes, komunistët pushkatuan pa gjyq 28 vetë në Postribë. Pushkatimet dhe përndjekjet u shtrinë edhe në Shkodër, Mirditë, Pukë dhe Malësi të Madhe. Mbi 60 personave u mori jetën regjimi komunist.
“Shqipëria nuk do të mund të ecë përpara dhe kokëlartë pa respektuar dhe nderuar ata që u sakrifikuan padrejtësisht për lirinë dhe prosperitetin e saj. Shpreh bindjen se betejën e tyre për ta bërë Shqipërinë europiane, do ta përfundojmë së bashku. Lavdi përjetë heronjve të Postribës”, theksoi Basha.
Edhe Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot Kryengritjen e Postribës, lëvizjen e parë antikomuniste në Shqipëri.
“Kryengritja e Postribës nisi më 9 shtator 1946 dhe është një nga lëvizjet e para të armatosura antikomuniste, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë bllokun lindor. Edhe pse dështoi për të qenë një kryengritje serioze me ndikim të gjerë, pasojat që la për pushtetin komunist ishin të rënda dhe që nga ajo periudhë nisën reprezaljet më çnjerëzore. Pas shtypjes së lëvizjes, nisën edhe proceset ndëshkimore gjyqësore dhe për Kryengritjen e Postribës njihen disa procese të shkëputura nga njëra-tjetra, për shkak të numrit të madh të të akuzuarve. Në gjyqet e para ajo që konstatohet është se përveç të dyshuarve si kryengritës, ka një numër të madh klerikësh dhe intelektualësh të Shkodrës”, shprehet Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”. /ATSh























