Pas largimit nga Sheffield, Nuhiu:Largohem si lojtar, por fituat një tifoz
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Atdhe Nuhiu, është bërë me skuadër të re.
Shtatlarti është transferuar drejt Qipros te skuadra APOEL Nicosia, transmeton KK.
E largimi nga Sheffield Wednesday pas shtatë vitesh, ka bërë që sulmuesi kosovar ta përjetojë në një formë mjaft të veçantë.
Në letrën e tij lamtumirëse, Nuhiu ka shkruar se pavarësisht largimit, tashmë ish-skuadra e tij ka fituar një tifozë më shumë.
“Koha ime në Sheffield Wednesday ka marrë fund por me të vërtetë mund të them se ky klub nuk do të largohet asnjëherë nga zemra ime”, shkruan ai.
“Kam shijuar shtatë vite këtu dhe është një moment emocional të largohem nga Hillsborough, ku kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës time. Ishte gjithmonë një nder për mua të luaja për të Sheffield dhe të jepja gjithçka, kështu që ky moment nuk është i lehtë”.
“Por nga thellësia e zemrës sime falënderoj secilin prej jush për mbështetjen që më keni dhënë që nga dita e parë dhe shpresoj që t’ju kam dhënë disa kujtime të mira gjatë rrugës. Askush nuk mund të heqë atë se çdo të thotë ky klub për mua. Unë largohem si lojtar, por Sheffield Wednesday ka fituar një tifoz, i cili gjithmonë do ta shikojë klubin. Për tifozët, stafin, lojtarët, kryetarin, të gjithë, faleminderit dhe të gjitha të mirat për sfidat tuaja këtë sezon”.























