Po të firmosnin Shqipëria, Libia me Italinë, disa zona do t`i humbte Greqia

Po të firmosnin Shqipëria, Libia me Italinë, disa zona do t`i humbte Greqia

Më datën 10 qershor, në medien turke “Habertürk”, gazetarja Kybra Par, botoi një intervistë me kundëradmiralin në pension doc. dr. Xhihat Jajxhë (Cihat Yaycı), e cila erdhi si reagim kundërshtues kundrejt marrëveshjes detare që firmosën grekët me italianët.

Së bashku me admiralin tjetër në pension, Xhem Gyrdeniz (Cem Gürdeniz)  ai është një prej dy gjeopolitikanëve kryesorë të gjeopolitikës detare turke.

Gyrdeniz është ideatori i doktrinës “Mavi Vatan” (“Atdheu blu”), ndërsa Jajxhë është ndjekës e zbatues i kësaj doktrine, por edhe arkitekt i politikës detare me Libinë.

Edhe pse më 15 maj, Erdogan, e shkarkoi nga detyra e shefit të shtabit të Forcave Detare turke, ai mbetet një prej njerëzve më ndikues te mendimi strategjik turk.

Të dy përfaqësojnë një shkollë mendimi dhe një filozofi të caktuar gjeopolitike e cila i ka rrënjët përtej këtyre dy individëve. E thënë thjeshtë, kur ata flasin duhen dëgjuar, pasi përfaqësojnë mendimin e avancuar të gjeopolitikës turke.

Për këtë arsye edhe intervista në fjalë bëri jehonë.

Ajo u pasqyrua edhe në Shqipëri gjerësisht, sepse admirali Xhihat Jajxhë pranoi dërgimin e një raporti shtetëror sekret për qeverinë shqiptare, ku e ndërgjegjësonte këtë të fundit për rrezikun e marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë, duke e paralajmëruar: “po mashtroheni”.

Mediet greke e cilësuan intervistën e tij si provën që Turqia pengoi realizimin e marrëveshjes shqiptaro-greke. Si në vendin tonë edhe në Greqi, epiqendra e diskutimeve mbi këtë intervistë ishte pranimi i përfshirjes së Turqisë në këtë çështje.

Por, ky është një diskutim më i komplikuar se kaq dhe ka pjesëmarrje të shumë aktorëve.

Titujt e medias turke mbi deklaratat e admiralit për Libinë dhe Shqipërinë

Në një pjesë të intervistës, botuar në shqip nga DITA, thuhet:

“Tani kemi një hap shumë konkret që duhet të ndërmerret nga Turqia. Pasi të drejtat e Shqipërisë dhe të Libisë shkelen nga marrëveshja midis Italisë dhe Greqisë. Zonat detare që do të fitonte Shqipëria në vijën jugperëndim-verilindje dhe zonat detare të Libisë në vijën veriperëndim-juglindje, janë zhvatur.

Me fjalë të tjera, nëse Shqipëria dhe Libia do të bënin vetë një marrëveshje me Italinë, do të kishin disa prej zonave të cilat i mori Greqia. Prandaj Libia dhe Shqipëria duhet ta kundërshtojnë këtë marrëveshje”.

Kjo intervistë pati një shpërndarje të gjerë në Turqi. Personalisht nuk mund të them nëse deklarata e tij lidhur me zonat që mund të ketë humbur Shqipëria, qëndron ose jo, pasi janë çështje teknike.

Titujt e medias greke mbi intervistën e ushtarakut të lartë turk

Por, shihet qartë se ky tension për ndarjen e zonave detare të Mesdheut do të ketë ndikim edhe në Shqipëri.

Ka një detaj që e bën situatën edhe më interesante. Këtë intervistë, e shpërndau në faqen e tij të Tuiterit, profesori amerikan Ryan Ginger i “Naval Postgraduate School”, të SHBA-së (Shkolla Pasuniversitare Detare e Marinës amerikane).

Ai është një ekspert për Turqinë, Ballkanin dhe Lindjen e Mesme. Krahas njohjes së mirë të turqishtes dhe disa gjuhëve të tjera, punon në shqip dhe në maqedonisht.

Statusi i profesorit Ginger ishte ky:

“Intervista e parë e gjerë e Xhihat Jajxhë. Mes konkluzioneve interesante, është bindja e tij se Shqipëria duhet të ketë një ujdi të përbashkët me Libinë. Nuk jam i sigurt se si do të funksiononte kjo (sidomos nga këndvështrimi i Shqipërisë), por është diçka nga e cila nuk duhen hequr sytë…”.

Me sa duket të gjithë po i mbajnë sytë nga zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe nga Turqia. Dhe kështu ka qenë edhe më parë.

Memorandumi sekret i komunitetit të inteligjencës amerikane, Mosmarrëveshja e Egjeut: një vështrim i ri mbi një problem të vjetër (CIA, Aegean Dispute: a new look at an old problem, NII IIM 84-10005, 5 november 1984) jep të njëjtën problematikë ekzistuese lidhur me Egjeun.

Dokumenti i Inteligjencës Amerikane

Sipas këtij dokumenti (f. 11), “Zëdhënësit grekë në mënyrë private, nëpër takime, deklaronin se nuk kishte plan që Greqia të zgjeronte ujërat territoriale nga 6 në 12 milje, veçse Greqia e kishte këtë të drejtë nga Konventa e 1982. Por, nëse Greqia do të zgjeronte ujërat territoriale në 12 milje në Egje, do të lindte nevoja e skicimit të ngushticave ndërkombëtare, pasi të gjitha ngushticat nga Mesdheu në Dardanele do të mbuloheshin nga ujërat greke, duke e kthyer Egjeun në një “liqen grek”.

Ky ishte një shqetësim për SHBA-në, ish-BRSS dhe Turqinë. Greqia pretendonte në të shkuarën të njëjtat të drejta që kishin shtetet arkipelagë, të akorduara përgjithësisht nga “Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit”, (LOS Convention, 1982). Gjatë diskutimeve të LOS-it Greqia nuk arriti ta fitonte këtë njohje. Pas nënshkrimit të konventës ajo vuri kusht duke pretenduar që t’i zgjidhte ajo se cilat do të ishin ngushticat mes ishujve për kalime transit e cilat jo.

SHBA-ja nuk e pranoi kërkesën e Greqisë për këtë të drejtë”.

Sot janë rikthyer përsëri tensionet e “problemit të vjetër” edhe pse bota ka një rend të ri.

Ngjan se ka një interes të shtuar edhe nga media ruse për deklaratat e admiralit Jajxhë dhe për doktrinën “Atdheu blu”. Para disa ditësh, agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “Sputnik”, zhvilloi një intervistë të detajuar me admiralin Xhihat Jajxhë, e cila po sillet e plotë në vijim në gazetën DITA.

Kjo intervistë na ndihmon që të kuptojmë, jo vetëm logjikën e personit që mund të ketë përpiluar relacionin sekret të 2009-s për qeverinë shqiptare, por edhe realizimin e një doktrine gjeopolitike përmes elementëve të së drejtës ndërkombëtare.

 

– Xhihat Jajxhë (Cihat Yaycı) është i njohur për doktrinën “Atdheu blu”. Çfarë është “Atdheu blu”? Nga momenti që Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të drejtën e detit (UNCLOS) i jep sovranitet të limituar vendeve të ndryshme, në bazë të parimit të “Zonës ekonomike ekskluzive”(ZEE), në ç’mënyrë do arrijë Turqia që ta bëjë funksionale këtë doktrinë?

Konventa UNCLOS e vitit 1982, u njeh vendeve bregdetare të drejta të kufizuara në lidhje me zonat ekskluzive ekonomike në dallim me ujërat territoriale. Por në fakt, ZEE-ja ka të bëjë me zonën detare të një vendi bregdetar, mbi të cilën, vendi në fjalë, zotëron të drejta sovrane të përdorimit, të mbrojtjes dhe të zhvillimit të kërkimeve detare për burime natyrore dhe për pasuri me vlerë gjeografike, gjeologjike e biologjike. Për më tepër, një ZEE përfshin gjithashtu edhe brigjet, shtratin e detit, nëntokën e përfshirë brenda shelfit kontinental të dhënë. Prandaj, një ZEE mund të konsiderohet gjithashtu edhe si të ishte pjesë e truallit kontinental.

Nën këtë dritë, Turqia rezulton pronare e të gjitha burimeve të gjetura brenda ZEE-së së saj. Ne e marrim të mirëqenë mundësinë e shfrytëzimit të juridiksioneve tona detare brenda autoritetit të njohur nga Konventa e vitit 1982, nga e drejta zakonore dhe nga parimet e së drejtës ndërkombëtare të detit, dhe do të jemi gjithmonë gati për të mbrojtur të drejtat tona. “Atdheu blu” është një doktrinë specifike për shtete gadishullore. Turqia zotëron 8 333 kilometra vijë bregdetare përgjatë Anadollit dhe Rumelisë dhe ka afërsisht 462 000 kilometra katrorë, me juridiksion detar, në Mesdheun Lindor, në Egje, në Detin e Marmarasë dhe në Detin e Zi.

Pikësëpari, ZEE-ja e deklaruar në Detin e Zi, shelfi kontinental në Egje, brigjet ngjitur me Libinë, Egjiptin, Libanin dhe Izraelin në Mesdheun Lindor janë përfshirë në “Atdheun blu”, siç mund të shihet në zonën me ngjyrë blu në hartën më poshtë (harta 1).

Shtrirja natyrore është faktori vendimtar në identifikimin e kufijve të një platforme kontinentale. Deti Egje është një rast i veçantë sepse ka një mori ishujsh dhe ishujsh të vegjël, dhe është një det gjysmë i mbyllur. Në Egje, delimitimi i platformës kontinentale disiplinohet nga Traktati i Lozanës, siç shihet në imazhin më poshtë (harta 2).

Turqia ka identifikuar pikën më perëndimore të zonës së juridiksionit detar në Mesdheun Lindor si pjesë e “Marrëveshjes detare Turqi-Libi”, 2019 (harta 3).

Harta 1

Harta 2

Harta 3

Prandaj, siç themi gjithmonë, Turqia nuk duhet të heqë dorë dhe nuk do ta bëjë këtë, as nga një territor kombëtar, e as nga një pjesë e ujërave territoriale të saja. Një nga masat themelore për ta bërë të zbatueshëm “Atdheun blu” u miratua më 27 nëntor 2019, me “Memorandumin e mirëkuptimit” midis Republikës së Turqisë dhe Qeverisë Libike të Unitetit Kombëtar, mbi delimitimin e zonave të juridiksionit detar në Mesdheun Lindor dhe ne duhet t’i vazhdojmë këto marrëveshje dypalëshe edhe me vendet e tjera fqinje, përkatësisht me Egjiptin, Izraelin, Libanin dhe Sirinë.

Ky rajon, të cilin shpesh e quajnë “Atdheu blu”, është ZEE-ja e Turqisë. Prandaj, ne vetëm sa po mbrojmë të drejtat dhe interesat turke në lidhje me ZEE-në e Turqisë mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare në fuqi dhe në një mënyrë paqësore.

– Po pse priti Turqia që të merrte një pozicion në Mesdheun Lindor? Cilat institucione u janë kundërvënë këtyre nismave?

Gjatë viteve Turqia ka qenë e hapur për dialog mbi zonat detare, me vendet e rajonit. Turqia ka refuzuar të marrë vendime mbi këtë çështje, në mënyrë të njëanshme ose dypalëshe. Mbaj mend deklarimin e njëanshëm të ZEE-së nga Administrata greko-qipriote e Qipros Jugore (GCASC) dhe marrëveshjet dypalëshe pasuese me Libanin, Izraelin dhe Egjiptin, si dhe vendimin e Turqisë për të vepruar në mbrojtje të së drejtave e interesave të saja, brenda kornizës të së drejtës ndërkombëtare, pasi mësoi për përpjekjet për vendime të njëanshme të Greqisë, për këtë çështje. Lidhur me këtë, Turqia nënshkroi marrëveshje për caktimin e kufijve detarë me Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC), më 2011-n, dhe me Libinë më 2019-n. Turqia po ndjek politikën e diktuar nga qeveria për këtë çështje. Me sa di, nuk ka kundërshtim nga asnjë institucion apo organizatë.

– Deri më tani, Turqia, bazuar në arsye të ligjshme politike, nuk e ka nënshkruar “Konventën mbi të drejtën e detit”, edhe për shkak të kërkesave të ardhura nga Greqia. Megjithatë, kohët e fundit, kemi parë që Ankaraja i është referuar së drejtës ndërkombëtare disa herë. Cilës së drejte ndërkombëtare i referoheni atëherë?

Mosnënshkrimi i marrëveshjes nuk e ndalon Turqinë të flasë për të. Aq më tepër që dispozitat kontraktuale janë bërë pjesë e së drejtës zakonore. Dispozitat brenda marrëveshjes, që Turqia vazhdon t’i kundërshtojë, janë të qarta. Turqia i ka kundërshtuar në mënyrë të pandërprerë këto dispozita, por nuk ka asnjë kundërshtim tjetër. Sidoqoftë, Greqia po ndryshon dispozitat e kësaj marrëveshjeje duke vepruar sikur të mos ketë vende fqinje dhe marrëveshja që po shkel është provë e kësaj.

Turqia i referohet ekskluzivisht “Konventës së Kombeve të Bashkuara për ligjin e detit” (UNCLOS) dhe vendimeve të marra nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit. Turqia mori pjesë aktive në punën përgatitore për marrëveshjen, por votoi kundër Konventës së vitit 1982, për shkak të nenit 3, i cili rregullon shtrirjen e ujërave territoriale; nenit 33, që rregullon “zonën e puqur” (në vazhdim) dhe nenit 121, që ka lidhje me ishujt.

Arsye të tjera se përse Turqia nuk ka nënshkruar konventën, janë dispozitat në lidhje me detet e mbyllura dhe gjysmë të mbyllura dhe “Përcaktimi i ZEE-së dhe shelfit kontinental midis shteteve me brigje ballë për ballë dhe me brigje të afërta”, të përmendura në nenet 74 dhe 83, të cilat përmbajnë vendime detyruese dhe praktika zbatimi të nevojshme. Sidoqoftë, meqenëse aktualisht është e rrethuar nga uji në tre anë të sajat, Turqia nuk i përmbahet Konventës, ashtu si dhe SHBA-ja e Izraeli, por është e vetëdijshme për rëndësinë e udhëzimeve të reja në fushën e së drejtës së detit, të prezantuara nga Konventa. Sido që të jetë, Turqia miraton disa praktika të UNCLOS-it 1982 të cilat janë bërë pjesë e së drejtës zakonore dhe ushtron të drejta e kompetenca që rrjedhin nga Konventa, si dhe, shfrytëzon vendimet e marra nga gjykatat ndërkombëtare, të Drejtësisë, dhe të Arbitrazhit.

– Sipas mendimit tuaj, Turqia duhet të deklarojë një ZEE në Mesdheun Lindor, sa më shpejt të jetë e mundur. Por, duke pasur parasysh që UNCLOS-i rekomandon që të bëhen marrëveshje midis vendeve të përfshira para se të deklarohet një ZEE, për të shmangur konfliktet e interesit, çfarë duhet të bëjë Turqia?

UNCLOS-i i vitit 1982 u rekomandon vendeve aderuese, që palët të cilat mund të jenë të përfshira në situata, t’i zgjidhin çështjet e tyre kritike ndaj juridiksionit detar në lidhje me distancën midis dy shteteve me brigjet pranë në më pak se 400 milje detare, përmes dialogut diplomatik dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe. Sidoqoftë, nuk ka ndonjë direktivë sipas së cilës një ZEE nuk mund të deklarohet në mënyrë të njëanshme. Në zbatim të nenit 75 të UNCLOS-it të vitit 1982, shtetit bregdetar i kërkohet që të publikojë një hartë të ZEE-së së deklaruar, ose listën e koordinatave të saja gjeografike dhe t’i dërgojë një kopje sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2004, GCASC deklaroi në mënyrë të njëanshme në Kombet e Bashkuara, ZEE-në e saj që shtrihet deri në 200 milje detare. Duke përdorur hartën e sjellë më poshtë (harta 4), administrata greko-qipriote e Qipros Jugore ka deklaruar EEZ-në e saj në OKB. Prandaj, është e palogjikshme të mendosh se Turqia do rrijë duke hapur sytë, teksa Greqia merr pjesën më të madhe të Mesdheut Lindor.

Harta 4

Vende të ndryshme të botës kanë deklaruar një ZEE të tyre. Në Mesdhe janë prezantuar deklarimet vijuese:

– Siria, më 19 nëntor 2003, përmes një ligji dekretoi një ZEE prej 200 miljesh detare;

– Libia, më 27 maj 2009, përmes një ligji të miratuar në Kongresin e përgjithshëm të popullit libik, deklaroi një ZEE prej 200 miljesh;

– Libani, më 17 gusht 2010 ka aprovuar një ligj lidhur me kërkimin e naftës e të gazit. Për më tepër, më 19 tetor 2010, përfaqësuesi i përhershëm i Libanit në Kombet e Bashkuara, i ka prezantuar një deklaratë për delimitimin e zonës së juridiksionit detar, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, në përputhje me marrëveshjen e ZEE-së, ndërmjet GCASC-së dhe Libanit, që ishte firmosur më datë 17 janar 2007, e cila, tregonte si pikat më jugore të zonës “zonën jugore të vijës së mesme perëndimore, Liban-Qipro” dhe “vijën e mesme jugore Liban-Palestinë”.

Lidhur me këtë, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saja, Turqia duhet të deklarojë ZEE-në e saj në Mesdheun Lindor, sa më parë që të jetë e mundur, sikur të kishte lidhur marrëveshje me Libanin, Izraelin dhe Egjiptin, ashtu siç tregohet në hartë (harta 5).

Harta 5

– Greqia, pra, nuk është një bashkëbiseduese e Turqisë për zgjidhjen e çështjeve kritike në detet Egje dhe Mesdhe, duke përfshirë këtu edhe ndarjen e zonave të juridiksionit detar?

Greqia formon një kufi në ujërat territoriale, duke hequr një vijë të drejtë midis ishujve të Kretës dhe Rodosit dhe e identifikon ZEE-në duke iu referuar kësaj vije, sikur të mos kishte det midis ishujve. Si pasojë, kjo nuk mund të jetë e pranueshme për Turqinë, sepse nuk do të mbronte të drejtat dhe interesat e saja detare. Për më tepër, kjo shkon në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të detit dhe përbën një shkelje ligji.

Greqia nuk është bashkëbiseduesi ynë i parë në Mesdheun Lindor. Nuk ka asnjë problem midis nesh në lidhje me Mesdheun Lindor. Vetëm se, Greqia po përfiton nga një zonë detare që do të na takonte neve. Sidoqoftë, Greqia nuk është bashkëbiseduesi ynë i Mesdheut Lindor, lidhur me ndarjen e juridiksionit detar. E megjithatë, ne jemi në gjendje të negociojmë me Greqinë në rast të ndonjë momenti fërkimi në Egje. Të gjitha shkeljet e ligjit nga ana e Greqisë duhet të shqyrtohen. Duhet të restaurohet ekuilibri i vendosur nga Traktati i Lozanës. Mos harroni se Greqia ka shkelur nenin që drejton rregullin e 3 miljeve ujëra territoriale, sipas Traktatit.

– Kurrkush në botë nuk e merr seriozisht pozicionin ekspansionist të Greqisë në ishullin Kastelorizo. Madje as Egjipti nuk e pranoi atë gjë. A nuk mendoni se ndoshta Turqia po e sheh situatën pak si shumë seriozisht?

Ashtu siç iu referuat me të drejtë, Egjipti nuk e pranoi qëndrimin e Greqisë që e zgjeron ZEE-në ose shelfin kontinental deri në ishullin Kastelorizo. Greqia e mohoi këtë. Të identifikosh ishullin Kastelorizo si një ishull grek në anën e kundërt të vijës së mesme, do të thotë të uzurposh rreth 50 000 kilometra katrorë nga zona e juridiksionit detar turk.

Për më tepër, ishujt grekë përballë Mesdheut Lindor, përfaqësojnë një vijë bregdetare prej 167 kilometrash dhe është e paligjshme të kërkosh miratimin e një zone juridiksioni detar, ballë për ballë me brigjet prej 1870 kilometrash të Anadollit. Mu pas ishullit të Kastelorizos, ekziston një ZEE e cila injoron tërësisht brigjet e Anadollit. Prandaj, argumentimi se ZEE-ja greke shtrihet mbi Kastelorizo dhe mbi ishuj të tjerë nuk është në përputhje me dispozitat e së drejtës ndërkombëtare. Turqia, mbron gjithmonë të drejtat dhe interesat e saja, përballë këtyre nismave të tilla të paligjshme.

Përveç kësaj, edhe pse duket sikur BE-ja nuk po e merr seriozisht çështjen e ishullit Kastelorizo, disa institucione vazhdojnë të përdorin hartën e Seviljes, të vitit 2003. Turqia mbrojti të drejtat dhe interesat e saja më 22 korrik, kur u verifikua përshkallëzimi i tensionit i lidhur me NAVTEX-in (“navigational telex”). Megjithëse aktiviteti i kërkimit gjeologjik të anijes “Oruç Reis” u krye brenda zonës së NAVTEX-it të Turqisë, Greqia iu kundërvu këtyre aktiviteteve dhe i bëri thirrje BE-së që të vendosë sanksione kundër Turqisë.

Greqia po kërkon që zona detare e ishullit Kastelorizo të jetë tre herë më e madhe se sa zona e tij kontinentale. Në rastet e Britanisë së Madhe, Francës dhe Spanjës, ishujt që janë pozicionuar përballë vijës së mesme nuk pranohen dhe as nuk janë pjesë e një ZEE-je. Prapëseprapë, akuzat e bëra kundër Turqisë në lidhje me Kastelorizon merren gjithsesi në konsideratë. Dhe ky nuk është një halucinacion i Turqisë. Ju mund ta shihni atë shumë qartë në hartat që përdor BE-ja (harta 6). O BE-ja, o Greqia iu përgjigjën NAVTEX-it turk.

Harta 6

Është pjesë e hartës së Seviljes, e cila më parë siguronte praninë e një juridiksioni detar në ishullin e Kastelorizos, në kufirin e ZEE-së së Qipros. Turqia është kritikuar nga Komisioni Evropian për një seri të tërë studimesh të kryera nga Turqia në zonat që i përkasin Greqisë dhe Qipros Jugore. Kështu, në qoftë se Turqia do të heshtte për pretendimet e paligjshme të Greqisë, kjo e fundit do ta kishte të hapur rrugën e materializimit të qëllimeve të saja. Kush e këshillon Turqinë që të heshtë mbi këtë çështje, dëshiron ta shohë Turqinë të paralizuar. Së pari institucionet evropiane që përdorin këtë hartë zbatojnë masa korrigjuese në dokumentet e tyre siç tregohet më poshtë (harta 7).

Harta 7

– A e ka dërguar Turqia NAVTEX-in e fundit në vendin e gabuar?

Në vitin 2011 dhe në vitin 2012 Turqia dërgoi NAVTEX, në 28 gradë gjatësi në lindje te Turkish Petroleum Corporation (TPAO). Nuk ka asnjë gabim lidhur me këtë.

– Mos ndoshta, dërgimi i problemeve ekzistuese në Mesdhe brenda kornizës së dispozitave ligjore, i dëmton pozitat e ligjshme politike turke të lidhura me shelfin kontinental dhe me autoritetin e ushtrueshëm mbi juridiksionet ndërkombëtare? I referohem në mënyrë të veçantë Greqisë.

Turqia është një shtet kushtetues. Ajo i ka mbështetur të gjitha veprimet e saja te vendimet e marra nga gjykatat ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të Arbitrazhit. Turqia i ndjek të drejtat dhe interesat e saja brenda kornizës të së drejtës ndërkombëtare. Vendimin e Turqisë për të shfrytëzuar të drejtën ndërkombëtare dhe për të nënshkruar marrëveshje nuk e kanë honepsur armiqtë e saj. Por është plotësisht absurde që ta kritikosh Turqinë se i referohet së drejtës ndërkombëtare. Është tërësisht e gabuar dhe nuk mund të ketë një përgjigje të saktë për një pyetje të gabuar.

– Teksa zonat e Turqisë përplasen me interesat e Administratës greko-qipriote, Brexit-i ka sjellë përsëri në rend të ditës bazat britanike të vendosura në ishujt e Mesdheut. Meqenëse bazat përbëjnë territor sovran, ato mund të pretendojnë qëllimisht shelfin kontinental dhe zonat detare që kanë lidhje. A do të ketë në të ardhmen ndonjë problem me zonat e deklaruara nga Turqia?

Mbretëria e Bashkuar zotëron bazat ushtarake sovrane Akrotiri dhe Dhekelia, të cilat, sipas së drejtës ndërkombëtare, konsiderohen territore sovrane të Mbretërisë së Bashkuar: njëra është e vendosur në Lemesos dhe tjetra në Larnaka, në ishullin e Qipros. Prandaj, nëse Mbretëria e Bashkuar pretendon juridiksionin detar rreth bazave, bashkëbiseduesi i drejtpërdrejtë do të ishte Administrata greke e Qipros Jugore dhe jo Turqia. Kjo çështje nuk e shqetëson Turqinë. Për ironi të fatit, greko-qipriotët do të kenë probleme me ishullin Kastelorizo.

– A është e mundur të veprohet në një rajon, ku përfshihen aktorë më të shumtë se sa një i vetëm, pa përfaqësuar një shumëkombëshe të sektorit të energjisë? A janë kostot aktuale të shpimeve në det të thellë, – të cilat janë shumë të larta në të vërtetë, – përtej mundësive të shteteve?

Prania e aktorëve të shumtë në rajon nuk përbën pengesë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave turke sipas së drejtës ndërkombëtare. Turqia tani ka një mundësi të shkëlqyer pasi zotëron tre anije kërkimi gjeologjik (njëra prej tyre është “Piri Reis” dhe i përket Universitetit Eilyl) dhe tre anije shpimi. Këto mjete lundrimi garantojnë pavarësinë e Turqisë. Sidoqoftë, institucionet përkatëse të qeverisë turke kanë fuqinë që t’i bëjnë këto aktivitete të kërkimit gjeologjik më efikase duke bashkëpunuar me kompani të sektorit të energjisë.


MË SHUME NGA Intervista