Një specialist pozitiv me COVID-19/ Mbyllet ambasada e Shqipërisë në Athinë
BKT
Shqipëri

Një specialist pozitiv me COVID-19/ Mbyllet ambasada e Shqipërisë në Athinë

Ambasada e Shqipërisë në Athinë, ka mbyllur ambientet e saj pasi një prej specialistëve ka rezultuar i infektuar me COVID-19.

Me anë të një njoftimi për shtyp, ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë, njofton të gjithë qytetarët për mbylljen  e ambienteve të Ambasadës në kushtet e marrjes së informacionit në orët e vona të ditës së djeshme për infektimin e një specialisti të Ambasadës, i cili pas kryerjes së testimit përkatës rezultoi pozitiv ndaj COVID-19, duke u detyruar kështu të ndërmarrin masa urgjente dhe ekstreme.

Gjithashtu, në ambasadën e Republikës së Shqipërisë sistemi ka pësuar një defekt teknik, të cilin po zgjidhet dhe ndërkohë janë marrë masa të menjëhershme për dezinfektimin e të gjitha ambienteve të saj”.

Për sa më lart, Ambasada e Republikës së Shqipërisë mbetet në pritje të të gjithë rezultateve të testimeve të kryera për COVID-19, të cilave konsujt dhe punonjësit e saj i janë nënshtruar, për t’ju rikthyer shërbimit sa më shpejt dhe të sigurt.

Brenda pasdites së sotme të gjithë qytetarët do të njoftohen nëse Ambasada do të vijojë të qëndrojë e mbyllur edhe ditën e nesërme, apo do t’i rikthehet punës pandaluar, edhe përtej orarit, si zakonisht.

Ambasada i bën thirrje qytetarëve të mos paraqiten pranë ambienteve të saj dhe të respektojnë këtë njoftim duke mbrojtur në këtë mënyrë veten dhe të afërmit. Takimi i gjithësecilit do të spostohet në momentin më të afërt dhe të sigurtë.


MË SHUME NGA Shqipëri