Shkrumbohen pyjet, s’ka ndërhyrje nga ajri

Shkrumbohen pyjet, s’ka ndërhyrje nga ajri

Prej tre ditësh mali i Balgjajt në Bashkinë e Klosit vazhdon të jetë i përfshirë nga flakët.

Deri më tani janë djegur rreth 50 hektarë me pishë në një nga zonat më të bukura të vendit, ndërsa forcat zjarrfikëse pavarësisht ndërhyrjes e kanë pasur të vështirë vënien nën kontroll të zjarrit për shkak të terrenit të thyer.

Flakët të ndihmuara edhe nga era e fortë kanë përfshirë edhe masivin pyjor me pishë në vendin e quajtur “Qafë Burrel”.

Autoritetet lokale thonë se kërkesa e tyre për ndërhyrje nga ajri është refuzuar nga drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave, me argumentin se nuk kanë helikopter për të hedhur ujë nga ajri.

Vizion plus pyeti ministrinë e mbrojtjes dhe drejtorinë e emergjencave, por ato nuk pranuan që të jepnin një përgjigje.

Një tjetër vatër zjarri u shënua në Krastë të Elbasanit mëngjesin e kësaj të mërkure por pavarësisht terrenit të vështirë zjarrfikësit arritën ta vinin nën kontroll.

Situatë e vështirë u regjistrua edhe në Manati të Lezhës, aty ku nga flakët u dogjën dhjetëra hektarë kryesisht me shkurre. Zjarri, që rrezikoi edhe banesat,  arriti të vihej nën kontroll këtë të mërkurë.

Ndërkohë gjatë natës zjarre pati dhe në fshatin Drenovë në Mallakastër e në malin e Taraboshit në Shkodër.

Të dyja vatrat u neutralizuan gjatë orëve të para të mëngjesit.

Në të gjitha rastet zjarret dyshohet të jenë të qëllimshëm, por ende asnjë person është vënë para drejtësisë./VP


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare