BB: Shqipëria me përmirësim të madh në Shëndetësi dhe Arsim
Shqipëria, renditet ndër 10 vendet me përmirësimin më të madh në gjithën botën sa i takon shëndetësisë dhe arsimit.
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka shënuar përmirësime të rëndësishme në cilësinë e arsimit. Rezultatet e testit të harmonizuar janë rritur nga 397 pikë në 2010 në 434 pikë në 2020. Shqipëria, gjithashtu ka rritur numrin e viteve të pritshme të shkollimit. Një fëmijë që nis shkollën sot, pritet të kryejë 12.9 vjet shkollim deri në moshën 18 vjeç, krahasuar me 11.6 vjet që ka qenë në 2010.
“Këto përmirësime lidhen me përpjekjet për reforma intensive gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, të cilat përfshijnë politika që kanë të bëjnë me punësimin dhe pagat e mësuesve; pasurimi i kurrikulave të fokusuara në aftësi; rritjen e aksesit në të gjitha nivelet e arsimit, dhe një vëmendje më e madhe për arsimin gjithëpërfshirës duke pasur në kujdes nxënësit me më pak mundësi financiare,” tha Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.
“Megjithatë, për të rritur rezultatet e të mësuarit duhen rritur shpenzimet për arsimin, veçanërisht për programe dhe politika që përmirësojnë cilësinë dhe barazinë në arsim. Duke pasur parasysh efektet e shkaktuara nga pandemia aktuale e COVID-19, duhen prioritizuar politika që minimizojnë humbjet në procesin e të mësuarit dhe sigurojnë vazhdimësi të tij për të gjithë nxënësit në mënyrë sa më të barabartë”, tha ajo.
Në Shqipëri një fëmijë i lindur sot mund të arrijë 63 për qind të produktivitetit të një individi të rritur e të arsimuar plotësisht dhe me shëndet të mirë. Ndërsa ky tregues është mbi mesataren e vendeve me të njëjtin zhvillim ekonomik në botë, ai është nën mesataren e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore.
Gjatë dekadës së fundit, numri i viteve të pritshme të shkollimit është rritur, ku përparimet më të mëdha i paraqesin Azerbajxhani, Shqipëria, Mali i Zi, Polonia dhe Rusia, kryesisht për shkak të përmirësimeve në regjistrimet për arsimin e mesëm dhe atë parashkollor. Por, nga ana tjetër, numri i viteve të pritshme të shkollimit ka rënë në një sërë vendesh, si Bullgaria, Moldavia, Rumania dhe Ukraina.
Cilësia e arsimit, e marrë si mesatare, nuk ka pasur rritje në rajon gjatë dekadës së fundit. Ndër vendet që kanë pësuar rënie të cilësisë arsimore janë Bullgaria dhe Ukraina. Ndër vendet me përmirësime të cilësisë së arsimit janë Shqipëria, Moldavia dhe Mali i Zi.
Ndërkohë lidhur me arritjet në shëndetësi, në përgjithësi, rezultatet shëndetësore në rajon janë relativisht të mira në raport me standardet botërore.
Ndjeshëm ka rënë edhe niveli i zhvillimit të mangët të fëmijëve, sidomos në Shqipëri, Azerbajxhan, Maqedoninë e Veriut dhe në Turqi.
Në Shqipëri shkalla e zhvillimit të mangët të fëmijëve që janë të rrezikuar nga kufizime fizike dhe mendore ka rënë gjatë periudhës në fjalë nga 23 në 11 fëmijë për çdo 100 fëmijë.
Arritjet në kapitalin njerëzor në Shqipëri, sipas raportit, mund të jenë të qëndrueshme edhe në kushtet e pandemisë, duke rritur dhe targetuar më mirë investimet në arsim dhe shëndetësi.
Sipas raportit më të fundit të Indeksit të Kapitalit Njerëzor (IKNJ) të nxjerrë nga Banka Botërore, i cili mat rezultatet e kapitalit njerëzor përpara pandemisë, në mbarë botën, të rinjve të rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore u jepen mundësitë e nevojshme për të qenë produktivë në të ardhmen, falë vijimit të investimeve në shëndetësi dhe në arsim gjatë viteve të fëmijërisë dhe të adoleshencës.
Por pandemia e COVID-19 po i rrezikon arritjet e deritanishme, ndërsa qeveritë po përpiqen të vazhdojnë shërbimet shëndetësore dhe arsimore në kushtet e kufizimeve të vendosura për mbrojtjen e shëndetit publik, përfshirë edhe mbylljen e shkollave.
Raporti i këtij viti përfshin analizën dhjetëvjeçare të zhvillimit të kapitalit njerëzor, nga viti 2010 deri në vitin 2020, në 174 vende.
Nga 48 vende të Europës dhe Azisë Qendrore të përfshira në IKNJ 2020, 33 bëjnë pjesë në një të tretën më të përparuar të botës dhe thuajse të gjitha ndodhen në një të dytën më të përparuar.
IKNJ-ja e Bankës Botërore ndjek trajektoren e fëmijës, që nga lindja e deri në moshën 18 vjeç, lidhur me aspekte të tilla të rëndësishme si të arriturit e moshës pesëvjeçare; numri i pritur i viteve të arsimit fillor dhe të mesëm, i korrigjuar me treguesin e cilësisë; mangësia e zhvillimit në fëmijëri; normat e të jetuarit në moshë të rritur.
IKNJ 2020, mbështetur në të dhënat e mbledhura deri në mars të këtij viti, siguron një standard krahasimi me periudhën përpara pandemisë, që do të shërbejë si bazë informimi për politikat dhe investimet në shëndetësi dhe në arsim për periudhën e rimëkëmbjes pas pandemisë. /ATSh























