Limani tregon çelësin e fitores së Dritës ndaj Sileksit

Limani tregon çelësin e fitores së Dritës ndaj Sileksit

Kapiteni i Dritës, Ardian Limani thotë se dueli me Sileksin, ishte një ndeshje e vështirë, por sipas tij, skuadra gjilanase e meritoi fitoren, raporton RTKLive.com.

Kampioni i Kosovës sonte në Shkup mundi Sileksin, me rezultat 0-2, duke siguruar kualifikimin në rundin e tretë të Europa League.

Limani shënoi golin e dytë për Dritën, skuadër kjo që bën historinë pasi është skuadra e parë kosovare që kalon në rrethin e tretë kualifikuese në këtë gare joshëse në Evropë.

Kapiteni i skuadrës gjilanase pas ndeshjes tha se trajner u kishte treguar çdo detaj të skuadrës kundërshtare.

“Ishte një ndeshje mjaft e vështirë. Në pjesën e parë dhe nuk arrinim të dalim në lojën tonë. Mendoj që në pjesën e dytë e dominuam takimin dhe për këtë jam shumë i lumtur”, tha ai.

“Trajneri na kishte treguar çdo detaj për ekipin kundërshtar dhe e kishim më të lehtë qasjen në këtë ndeshje andaj mendoj që ky ishte edhe çelësi i suksesit”, theksoi Limani.

Drita në rrethin e tretë do të takohet me skuadrën e madhe polake, Legia Varshavë. /RTKLive/