Dortmund pret M’gladbach, United e nis sezonin ndaj Crystal Palace

Dortmund pret M’gladbach, United e nis sezonin ndaj Crystal Palace

Kampionati anglez do të vijojë sot me ndeshjet e javës së dytë të sezonit të ri, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Manchester United, që në orën 18:30 do të zbresin në fushë për herë të parë për një ndeshje zyrtare.

Kalendari parashikonte që “djajtë e kuq” të mos luanin javën e kaluar dhe sonte në mbrëmje skuadra e Solskjaer do të bëjë debutimin zyrtar në shkallët e “Old Trafford”, ku do të presë londinezët e Crystal Palace.

Këta të fundit luajtën javën e kaluar dhe arritën të fitojnë me rezultatin minimal 1-0 përballë Southampton, ndërsa Manchester United do të provojë ta nisë mbarë një sezon ku pretendon të arrijë diçka më tepër se vendi i katërt i vitit të kaluar.

Në mbrëmje do të jetë radha e Arsenalit të Mikel Artetës, që të zbresë në fushë në “Emirates Stadium” për t’u përballur me West Hamin. “Topçinjtë’ e nisën sezonin me një sukses bindës 0-3 në transfertën ndaj Fulhamit dhe sot do të kërkojnë konfirmimin ndaj një skuadre që militon prej vitesh në Premier League dhe nuk është aspak e lehtë për t’u kaluar.

Gjithsesi trajneri spanjoll mund të bazohet te forma e mirë e kapitenit Aubameyang, i cili pak di të më parë firmosi edhe kontratën e re me Arsenalin, por edhe blerjet e reja, Willian e Magalhaes, të cilët dhuruan paraqitje mjaft të mira në javën e parë.

Krahas sfidave të kampionatit anglez, në ekranin e Eurosport 2 do të vijë edhe përballja mes Borussias së Dortmundit dhe Borussias së Monchengladbach.

“Verdhezinjtë” do të provojnë të rikthehen te titulli kampion këtë sezon dhe sot në orën 18:30 do të luanë aktin e parë të një sezoni të gjatë, i cili startoi sërish me një fitore spektakolare të Bayernit, 8-0 ndaj Schalke 04-ës, transmeton SS.

Ndërsa në mbrëmje do të vijë edhe përballja e kampionatit spanjoll mes Celta Vigos dhe Valencias. Këta të fundit e nisën sezonin me një fitore 4-2 në derbin ndaj Levantes, ndërsa Celta mori vetëm një barazim pa gola në transfertën ndaj Eibarit.