Dedaj: Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të rrisin bashkëpunimin

Dedaj: Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të rrisin bashkëpunimin

Intervistë me Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Gjergj Dedaj

Në një mega intervistë për Agjencinë e Lajmeve FLAKA nga Maqedonia e Veriut, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, flet gjërë e gjatë për raportet mes dy vendeve, gjendjen aktuale politike në Kosovë si dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Sërbisë. Dedaj u përgjigjet akuzave se në Maqedoninë e Veriut mban anën tek forcat politike shqiptare dhe flet për karrierën e tij politike që nga themelimi i Partisë Liberale të Kosovës. Flet për zhvillimet politike në tre dekadat e fundit në Kosovë dhe kujton Konferencën e Rambujesë dhe fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi Sërbinë.

FLAKA: Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës tani e 12 vite kanë krijuar marrëdhënie diplomatike si dy shtete fqinje. Ishte Republika e Maqedonisë së Veriut një nga shtetet e para që njohi pavarësinë e Republikës së Kosovës në vitin 2008. Si ambasador i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, si do ta vlerësonit bashkëpunimin mes dy vendeve 12 vite pas vendosjes së marrëdhënieve diplimatike ?

GJERGJ DEDAJ: Është e vërtetë se Republika e Maqedonisë së Veriut, është ndër vendet e para e cila e ka njohur Republikën e Kosovës, te shpallur shtet i pavarur dhe sovran,me 17 shkurt 2008. Bashkëpunimi i Kosovës me Maqedoninë e Veriut fqinje është i shkëlqyer në të gjitha fushat e jetës. Ky bashkëpunim është reciprok, ndërshetërorë dhe i dobishëm për qytetarët e vendeve tona, paqen, stabilitetin, sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe progresin. Si vende fqinje dhe mike neve inkurajojmë stabilitetin jo vetëm mes dy vendeve tona, por kjo ka impakt edhe për rajonin dhe më gjërë.

FLAKA: Marrëdhëniet diplomatike paraqesin bazën e bashkëpunimit mes dy vendeve. Tani që kemi 12 vite raporte ndërshtetor mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, si do ta vlerësonit bashkëpunimin ekonimik mes dy shteteve ?

GJERGJ DEDAJ: Përveç avancimit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në dekadat e fundit, një vëmendje të veçantë ia kushtojmë bashkëpunimit ekonomik, investimeve të kompanive kosovare dhe të Maqedonisë së Veriut në dy vendet tona, të cilat investime ekonomike ndikojnë në ekonomitë tona, në zbutjen e papunësisë, situatën socio-ekonomike dhe ngritjen e standardit jetësorë.

FLAKA: Krahas bashkëpunimit diplomatik dhe ekonomik, krijohen edhe raporte të tjera mes vendeve. Sa jeni të kënaqur nga bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, në fushën e kulturës, turizmit, sportit si dhe lëmive të tjera ? Kur flasim për shkëmbimin ekonomik por edhe të fushave të tjera mes dy vendeve, vend të rëndësishëm zë edhe lidhja infrastrukturore. Republika e Kosovës duket se po tregon më tepër kujdes në këtë drejtim. Cila do të ishte thirrja e juaj ndaj Shkupit zyrtar për përfundimin më të shpejt të aksit rrugor Shkup – Prishtinë, respektivisht Bllacë ?

GJERGJ DEDAJ: Parakusht thelëbsor që dy shtete të kenë marrëdhënie të mira bashkëpunimi, është gatishmëria institucionale dhe parimi i fqinjësisë së mirë, jo vetëm në rrafshin diplomatik dhe ekonomik, por edhe në fushën e Kulturës, Arsimit, Shëndetësisë, Sportit, Turizmit, Tregëtisë dhe fusha të tjera, të cilat i kontribojnë progresit të gjithëanshëm dhe stabilitetit politiko – ekonomik ndërshtetërore. Ndërtimi i autostradës Arben Xhaferi, nga Prishtina në pikën kufitre të Hanit të Elezit, sikur e ka lehtësuar dhe shkurtuar komunikimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, me shpresë që edhe autoritetet e RMV së shepjti do të përfundojnë segmentin lidhës me këtë autostradë nga Shkupi në Bllacë. Kjo autorrugë ka rëndësi ekonomike dhe thellon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona dhe me gjërë, me shtetet tjera fqinje,në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimorë. Gjatë takimeve të fundit, që kam pasur me Qeverinë e re tëRMV, kryeministrin Zaev, zëvendëskryeministri e parë Grubi, ministrin e jashtem Osmani, dhe autoritete tjera, kam vërejtur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tonë në të gjitha fushat, kjo është inkurajuese dhe dëshmon një klimë të mirë të ndërtimit të mirëbesimit dhe bashkëpunimit tonë, e kjo është në dobi të rajonit dhe më gjërë. Pra, lidhja e Maqedonisë së Veriut me autostradë me Kosovën, pastaj Shqipërinë, Serbinë, Bullgarinë dhe Greqinë, si vende fqinje, është një parakusht për zhvillim të hovshëm ekonomik dhe komunikim imediat të rajonit, i cili rajon synon integrimet euro-atlantike, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe përfundimi i autostradës Shkup-Bllacë është një nyje e rëndësishme në këto procese zhvillimore euro-atlantike!

FLAKA: Në tetor të vitit 2018 u emëruat Ambasador i Republikës së Kosovës në Shkup. Po bëhet dy vite, një kohë e mjaftueshme për të kërkuar opinionin tuaj për skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Cili është bashkëpunimi i juaj si Ambasador (si Ambasadë), me subjektet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut ?

GJERGJ DEDAJ: Nga emërimi im dhe marrja e detyrës në misionin e Republikës së Kosovës në nentor të vitit 2018 në Shkup, mund të them lirisht se këtu kanë ndodhur zhvillime historike gjatë dy viteve të fundit. Implementimi i marreveshjes së Prespës, Ligji për Dygjuhësinë, Marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, anëtarësimi në Aleancën Veriatlantike të NATO-s dhe parapërgatitjet finale për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, janë ngjarje të cilat i kam përjetuar me shumë kënaqësi dhe këto zhvillime janë një sukses historik i qytetarëve dhe elitës politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky vend fqinj po shkëputet nga e kaluara, po merr përgjegjësi të reja, duke thelluar reformat demokratike, partneritetin me SHBA,NATO-n dhe Bashkimin Europian, dhe kështu duke rritur besimin për një të ardhme europiane, pë progres ekonomik, stabilitet politik dhe mirëqenie për qytetarët e Maqedonisë së Veriut!

FLAKA: Në Republikën e Kosovës gjendja politike mund të llogaritet jo e qetë. Për më pas se një vit u krijuan dy shumica parlamentare dhe dy përbërje qeveritare. Si do ta vlerësonit situatën politike në Kosovë dhe a prisini që qeveria aktuale të mbaron mandatin kur ka paralajmërime për votëbesim në Parlament ?

GJERGJ DEDAJ: Kosova për disa arsye nuk gëzon një stabilitet politik. Në radhë të parë janë ambiciet e tepruara të subjekteve politike për pushtet, ambicie të cilat në rrethana të një shteti të konsoliduar dhe të zhvilluar, edhe mund të jenë normale. Megjthëatë, Kosova përballet me një varg vështirësishë ekonomike, politike, të ngecjes së procesit të njohjeve të pavarësisë, kur dihet se edhe pesë vende të Bashkimit Europian, ende hezitojnë ta njohin Republikën e Kosovës, pastaj regjimi politik non sens i vizave i cili pamundëson lëvizjen e lirë të kosovareve, alarmimet nga Gjykata Speciale një etnike konfuze dhe për ne e pa qartë, marrëdheniet konfliktuoze me Serbinë e cila është fajtore për gjenocidin, krimet, dhunimet, shkatërrimet dhe vrasjet e pa ndëshkuara të cilat i ka bërë në vitet 1998/1999, situata me pandeminë COVID-19, shkalla e lartë e papunësisë dhe gjendja socio-ekonomike, janë faktor të cilat e vështirësojnë funksionimin normal të institucioneve të Kosovës. Shpresojmë që Presidenti Thaçi, Qeveria Hoti dhe Kuvendi i Kosovës do ia dalin të permbyllin mandatin e plotë,sepse zgjedhjet e shpeshta nuk janë të shendetshme për Kosoven e varfër dhe proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.

FLAKA: Në disa raste janë drejtuar akuza ndaj juve për mbajtje anë sa u përket subjekteve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Cila do të ishte përgjigja e juaj ndaj këtyre akuzave,tani që zgjedhjet mbaruan dhe atmosfera politike është më e qetë?

GJERGJ DEDAJ: Unë personalisht njihem si institucionalist dhe me një përvojë të gjatë në skenën politike kosovare, tashmv mbi tri dekada. Nuk ia lejoj vetës të ndërhyjë në çështjet e brendeshme politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat janë parasegjithash çeshtje të subjektve vendore politike dhe të elektoratit të RMV. Madje nuk kam marrur pjesë në asnjë kongres dhe në asnjë fushatë elektorale të asnjërës nga forcat politike prej sa jam në krye të Ambasadës së Kosovës. Padyshim se përcjellim nga afër zhvillimet politike dhe procesi i fundit elektoral ishte demokratik, fer dhe transparent dhe kjo më ka gëzuar. Se kush fiton dhe kush me kë bënë koalicion është problem domestik politik. Urojmë Qeverinë e re të Republikës së Maqedonisë, Kuvendin dhe të gjitha institucionet shetërore të vazhdojnë me thellimin e reformave demokratike, përmbushjen e standardeve europiane të barazisë etnike, fetare, gjinore dhe racore, të sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, punësimit dhe ndaljes së ikjes së gjeneratës së re, luftimit të korrupsionit, ndarjes së religjionit nga politika shtetërore, forcimit të rrugëtimit euro-atlantik dhe këtë dëshirojmë ta shofim në RMV!

FLAKA: Pasi përfaqësoni Republikën e Kosovës, do të kërkonim vlerësimin tuaj mbi marrëveshjen Kosovë – Serbi të arritur me ndërmjetësimin e Uashingtonit. Kur bëhen marrëveshje bëhen edhe kompromise, dhe çdo palë ngelet e kënaqur aq sa edhe pakënaqur. Sa është e favorshme kjo marrëveshje për Republikën e Kosovës?

GJERGJ DEDAJ: Kosova ka besim të plotë dhe bashkëpunim specifik me SHBA, pa rolin kyq të SHBA-ve, nuk do të kishim sot lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke mos harruar edhe kontributin e vendeve të BE, NATO-s dhe vendeve të tjera mike. Marrvdheniet ndërmjet dy shteteve fqinje, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sërbisë janë akoma të rënduara, nga vetë fakti se Sërbia akoma heziton të përballet me realitetin e ri në Kosovë, të pranoj disfatën e saj policore dhe usharake, të kërkojë falje për gjenocidin e ushtruar ndaj popullatës civile, vrasjes së mbi 13.000 kosovarëve, të zbardhjes së fatit të rreth 1800 të të pagjeturve, të dhunimit të mbi 20.000 grave dhe vajzave, të 400 masakrave, të shkatërrimit të pasurisë dhe të gjitha këto veprime kriminale Sërbisë i duket e vështirë ti pranojë dhe të kërkojë falje. Partneriteti i Kosovës me SHBA, NATO-n dhe Bashkimin Europian ishte dhe do të mbetet në pikën më të lartë në agjenden politike të shtetit të Kosovës. Ndërmjetë Kosovës dhe Sërbisë duhet të ndodhin takime, bisedime dhe marrëveshje të cilat dërgojnë drejtë faljes, pajtimit, paqes, stabilitetit dhe sigurisë mes nesh por të rëndësishme edhe për gjithë rajonin dhe më gjerë. Marrëveshja ekonomike e cila u arritë në Shtepinë e Bardhë në Uashington, e ndërmjetësuar nga Sh.T. Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ishte historike, e rëndësishme për kohën, vendin dhe rrethanat e nënshkrimit të sajë nga kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiç. Kjo marrëveshje padyshim se i relakson marrëdhëniet e tendosura dhe komplekse mes dy shteteve, por është edhe një pikënisje shpresëdhënëse e arritjes së një marrëveshje politike e cila do të perfundonte me njohjet reciproke të Kosovës dhe Sërbisë,si dy shtete sovrane dhe të pavarura. Kur kësaj ia shtojmë edhe normalizimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, kjo marrëveshje ka një rëndësi historike, për çka duhet ta falënderojmë administratën e Presidenti të SHBA-ve, Sh.T.Donald Trump si dhe kryministrin Izraelit Netanjahu.

FLAKA: Me përbërjen e re qeveritare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në krye të diplomacisë vjen një kuadër shqiptar. Sa mendoni që ky pozicionim do të jetë i favorshëm për thellimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ?

GJERGJ DEDAJ: Në vija të trasha Kosova ka bashkëpunim ndërshtetërore dhe ndërinstitucional me Republikën e Maqedonisë së Veriut, pa marrur parasysh përkatësinë etnike të bartësve të pushtetit dhe ky bashkëpunim vetëm sa do të thellohet gjithnjë e më shumë. Megjithëate nuk duhet të harrojmë se shqiptarët e RMV të cilët pas maqedonasve janë shumicë, në fakt janë urë lidhëse dhe bashkëpunimi me Kosovën, janë faktor paqe dhe stabiliteti dhe rezultatet e fundit elektorale avancuan pozitën e tyre në institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Rizgjedhja e zotit Talat Xhaferi në krye të Kuvendit të RMV, e z. Artan Grubi si zëvendëskryeministër i parë, e kryediplomatit Bujar Osmani do të dëshmojë një vazhdimësi të bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet dy shteteve tona fqinje, por edhe të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, e cila dorën në zemër pa asnjë hezitim ka pranim dhe bashkëpunim nga presidenti Pendarovski, kryeministri Zaev, ish ministrat e qeverisë së kaluar dhe të kësaj aktuale. Trajtimi korrekt dhe bashkëpunimi i shkëlqyer mes neve, ma lehtëson misionin tim, të prezentimit sa më dinjitoz të shtetit të Kosovës, për çka jam shumë mirënjohës dhe falënderues.

FLAKA: Nga viti 1991 kur themeluat Partinë Liberale në Kosovë jeni aktiv në skenën politike kosovare. Tani pas gati tre dekadave, si do ta vlerësonit zhvillimin e shtetit të Kosovës, me theks të veçantë pas pavarësimit të shtetit ?

GJERGJ DEDAJ: Nga viti 1991 e deri me sot, isha pjesë e të gjitha ngjarjeve të cilat ndodhën në Kosovë, në këto tri dekadat e fundit dramatike. Fillimisht në vitin 1991 kam themeluar dhe për shumë vite drejtuar Partinë Liberale të Kosovës, me qëllim të promovimit të vlerave europerëndimore të liberal demokracisë edhe në Kosove, PLK ishte subjekti i parë politik kosovarë i anëtarësuar me të drejta të plota në familjet politike të Europës dhe Botës. Ishim anëtare me të drejta të plota në Internacionalen Liberale me seli në Londër, ku nje mandat isha edhe zëvendëspresident i saj, ku përfshinë mbi 100 parti polike liberal demokratike të Botës,si dhe ishim anëtare me të drejta të plota në Aleancën Liberale Demokratike të Europës me seli në Bruksel. Para lufte kur Kosova nuk kishte institucione as ambasada, jemi munduar të luajmë rolin e “ministrave të jashtëm dhe të ambasadorëve” për të afirmuar dhe sensibilzuar çështjen e Kosovës në Botë për ta thënë të vërtetën e Kosovës në qendrat ndërkombetare të vendosjes, ne SHBA, Europë e tjerë, nga fakti se Sërbia synonte të minimizojë krimet dhe invazionin shtetrorë, politik dhe ushtarako-policor që kishte bërë në vitin 1989, e kjo ishte një sfidë dhe angazhim i yni epik dhe kombëtarë të cilin mision në dukje të pamundur e bëmë realitet me punë, sakrifica mbinjerëzore dhe përkushtim. Nuk duhet të harrojmë se SHBA në këtë periudhë historike si lidere të lirisë, paqes dhe demokracisë, qendruan denjësisht përkrah Kosovës duke organizuar Konferencën e Rambujes bashkë me Bashkimin Europian, konferencë e cila u nënshkrua në Paris në mars të vitit dramatik 1999, ku kisha nderin dhe privilegjin të isha pjesëmarrës dhe nga aty pas kthimit të delegacionit të Kosovës, në Prishtinë filluan bombardimet humanitare dhe çlirimtare të NATO-s, kunder caqeve kriminale sërbe, për të shporrur njeherë e përgjithmonë forcat paramiltare, ushtarake dhe policore të Sërbisë së Millosheviçit nga territori i Kosovës, për ti dhënë fund terrorit dhe për të krijuar dhe ndërtuar paqën dhe lirinë e Kosovës. Mes Kosovës dhe Sërbisë dhe në përgjithësi në Ballkani Perëndimorë, lideret e ndërgjegjshëm duhet ta lënë prapa të kaluarën,të kapërcejnë historinë,të ndërtojnë paqen, pajtimin, faljen, stabilitetin dhe integrimin euro-atlantik të mbarë rajonit. FLAKA


MË SHUME NGA Intervista