Ekspertë të mediave e vlerësojnë lart rolin e RTK-së në shoqëri

Ekspertë të mediave e vlerësojnë lart rolin e RTK-së në shoqëri

Në 21 vjetorin e themelimit të RTK-së, njohësitë e medieve vlerësojnë se mediumi publik ka luajtur rol të rëndësishëm në shtetndërtimin e Kosovës.

Lufta shkatrroi gjithcka, madje edhe pajisjet teknike të TVP-së u vodhën e u shkatërruan. Megjithatë televizioni publik arriti të themelohet me mbarimin e luftës e me ndihmën e miqve ndërkombëtarë.Ishte 19 shtatori i vitit 1999 kur RTK filloi transmetimin për herë të parë. Në 21 vjet punë televizioni publik pati periudha të mira e të vështira. 

RTK ndihmoi në shtetndërtimin e Kosovës, kështu po vlerëson profesori i gazetarisë, Milazim Krasniqi.

"Mendoj që Radio Televizioni Publik i Kosovës është institucioni më i rëndësishëm medial në vend dhe ështëe institucion që ka ndikuar në shtetndërtimin e Kosovës, në integrimin e komuniteteve, në ngritjen e kulturës së debatit të gazetarisë profesionale. Kështuqë padyshim që është njëra nga arritjet e mëdha të Kosovës në këtë rrugë të shtetndërtimit", tha Krasniqi.

Se televizioni publik ka rrugëtuar bashkë me Kosovës e thotë edhe profesori Rrahman Paçarizi.

"RTK sigurisht që e ka ndjekur fati i Kosovës. RTK-ja është një institucion që ka përfituar dhe ka pësuar njëjtë sikurse edhe Kosova. është zhvilluar njëjtë sikurse edhe Kosova me telashet qe i ka pasur, me përparësitë që i ka pasur por gjithsesi Radio Televizioni i Kosovës është koncept i transmetuesit publik që është i domosdoshëm për shoqëritë demokratike" tha Paçarizi.

Sipas dy njohësve të medieve, RTK duhet të bëjë disa ndryshime në skemën programore.

"Do duhej të rritej pak më shumë emisionet dokumentare, trasnmetimi i emisioneve që kanë për bazë kulturën tradicionale, vlerat kombëtare,intergrimet kombëtare", tha profesor Milazim Krasniqi.

"RTK duhet të mbuloj katër shtullat kryesore programore, informimin, argëtimin, edukimin dhe kulturën. Mund të them që RTK ngec sidomos te kultura dhe edukimi ndërkohë që si sasi ka të mjaftushme të informacioneve", tha profesor Rrahman Paçarizi.

Sipas tyre problem për RTK-në mbetet konkurenca jolojale e mediumeve të tjera në aspektin e marketingut.