BBC i bën jehonë aksionit policor në Karaçevë

BBC i bën jehonë aksionit policor në Karaçevë

Transmetuesi publik britanik BBC ka raportuar për aksionin policor që u zhvillua gjatë të premtes në Karaçevë, komuna e Kamenicës. “Policë të Kosovës arrestohen në aksionin që goditi kazinotë ilegale”, shkruan ky medium.

Të paktën 10 policë janë arrestuar gjatë aksionit që mbylli shumë kazino që vepronin jashtëligjshëm, thuhet në artikull.

BBC shkruan se ky është operacioni më i madh i llojit të vet të kryer ndonjëherë në Kosovë, që edhe ishte hetim njëvjeçar.

“Kosova i ka ndaluar të gjitha lojërat e fatit vitin e kaluar, si përpjekje për ta goditur krimin”, shkruan kjo medie.

BBC po ashtu shkruan se para se të hynte ligji në fuqi, në mars të 2019-s, policia kishte mbyllur mbi 500 kazino ku luhej bixhozi. Gjithashtu, thotë se veçanërisht në sport, këto lojëra ishin bërë jashtëzakonisht të popullarizuara në Kosovë.

Nga ky aksion, të premten u arrestuan 35 persona, në mesin e tyre 12 policë.