Napoli e nis mbarë sezonin, Insigne feston me gol ndeshjen e 350-të

Napoli e nis mbarë sezonin, Insigne feston me gol ndeshjen e 350-të

Napoli e ka nisur në mënyrë perfekte sezonin e ri në kampionatin italian, pasi ia doli të marrë një 3-pikësh falë fitores me shifrat 0-2 në transfertën ndaj Parmës në “Ennio Tardini”, ku ishin të pranishëm 1000 tifozë sipas vendimit të ri.

Gattuso preferoi t’u besojë futbollistëve me të cilët mbylli sezonin e kaluar dhe kishte lënë në bankinë të gjithë blerjet e reja, ndërsa me interes pritej edhe performanca e Parmës, që drejtohej nga Fabio Liverani, pas largimit të Roberto D’Aversës.

Pjesa e parë ishte e balancuar, me luftë të fortë në mesfushë dhe aksione të shpeshta, por asnjë prej skuadrave nuk arriti të shfaqet rrezikshëm në portën kundërshtare dhe skuadrat u kthyen në dhomat e zhveshjes me rezultatin e bardhë 0-0.

Me të njëjtin ritëm nisi edhe pjesa e dytë, por deri në minutën e 61-të, kur Gattuso vendosi të aktivizojë blerjen më të shtrenjtë në historinë e Napolit, Victor Osimhen në vendin e Diego Demme dhe të kalojë nga skema 4-3-3 në atë 4-2-3-1.

Rezultati ishte i menjëhershëm, sepse vetëm dy minuta më vonë Osimhen u shfaq rrezikshëm në zonë dhe më pas i krijoi të gjithë hapësirën e nevojshme belgut Dries Mertens, që të shënonte golin e avantazhit.

Osimhen u shndërrua në rrezikun numër një për prapavijën e Parmës, pasi me shpejtësinë dhe forcën fizike vinte në vështirësi vazhdimisht mbrojtësit kundërshtarë, ndërsa në minutën e 77’ erdhi edhe goli i sigurisë, i shënuar nga Lorenzo Insigne.

Ky i fundit luante sot ndeshjen numër 350 me fanellën e Napolit, duke u bërë futbollisti i pestë në historinë e këtij klubi, që prej këtë shifër ndeshjesh të luajtura, por rekordi i Hamsik me 520 ndeshje është ende larg.

Minutat e mbetura trajneri Liverani përforcoi sulmin, por Parma ishte e pafuqishme të kërcënonte rrezikshëm portën e Ospinës, ndërsa në krahun tjetër Luigi Sepe dhe shtylla shpëtuan emilianët nga pësimi i golit të tretë.

Vlen të theksohet se brenda sfidës kishte edhe një derbi të vogël shqiptar, duke qenë se te Napoli bëjnë pjesë Hysaj e Rrahmani, ndërsa te Parma Dermaku dhe mesfushori i ri i talentuar Redi Kasa, por vetëm kapiteni i Kombëtares Shqiptare luajti për 90 minuta, ndërsa tre të tjerët e panë ndeshjen nga bankina.