Trajneri i Gjilanit: Kemi bërë gabime amatoreske

Trajneri i Gjilanit: Kemi bërë gabime amatoreske

Gjilani është mposhtur me rezultat 4:0 nga ish kampioni Feronikeli, në sfidën që u zhvillua sot në Drenas.

Kryetrajneri i kësaj skuadre, Gentjan Mezani, ka mbetur tejet i zhgënjyer nga reagimi i futbollistëve të tij në fushën e lojës, teksa thotë se këto gabime nuk guxojnë të përsëriten në ndeshjet e radhës.

“Kemi bërë gabime amatoreske, jo vetëm që nuk na falen, por ne nuk guxojmë të gabojmë në këtë mënyrë. Kampionati është tejet i gjatë dhe ne nuk guxojmë të gabojmë në këtë mënyrë. Nuk dua të shfajsohem për mungesat që kishim. Lojtarët që janë të gatshëm duhet të japin maksimumin dhe nuk duhet të dalin me këtë paraqitje”, theksoi fillimisht Mezani për “Klan Kosova”.

Më pas tekniku i gjilanasve shprehu keqardhjen për tifozët, teksa u premtoi atyre që do të fillojnë të ndryshojnë nga ndeshja e radhës.

“Më vjen keq për tifozët, pasi që duhet t’i gëzonim me një fitore dhe një lojë të bukur. Duhet të kërkojmë ndjesë për këtë paraqitje”, përfundoi Mezani.

Në ndeshjen e radhës Gjilani luan sërish në udhëtim te skuadra e Llapit.