Aeroportet zvicerane, së shpejti me test në vend të karantinës për kosovarë

Aeroportet zvicerane, së shpejti me test në vend të karantinës për kosovarë

Së shpejti, vetëm ata që janë vërtet pozitivë me koronavirus do të vendosen në karantinë. Një skenar të tillë e ka prezantuar gazeta “SonntagsZeitung” në botimin e sotëm, duke pasur parasysh me këtë rast “Euroairport”-in e Bazelit.

Kjo për faktin se testet e koronës tashmë janë pjesë e jetës së përditshme në Aeroportin Basel-Mulhouse, në pjesën franceze të tij, transmeton albinfo.ch.

Siç dihet, aeroporti që u takon tri shteteve: Zvicrës, Francës dhe Gjermanisë, shtrihet në tokën Ffranceze, prandaj në pjesën në fjalë zbatohen prej një muaji masat mbrojtëse të përshkruara nga Ministria Franceze e Shëndetësisë.

Kështu, pasagjerët që vijnë nga Algjeria, Bosnje-Hercegovina, Izraeli, Kosova, Serbia dhe Turqia, por të cilët nuk kanë vendqëdnrim në Zvicër do të duhet të testohen.

Vetëm ata që disponojnë një test Covid negativ që nuk është më i vjetër se 72 orë, lirohen nga detyrimi i testimit.

Edhe Aeroporti i Cyrihut është duke shqyrtuar idenë e testimit për koronavirus të udhëtarëve  që shfrytëzojnë këtë portë të hyrjes në Zvicër, shkruan gazeta “SonntagsZeitung”.

“Ne po shqyrtojmë me partnerë të ndryshëm se si mund të krijojmë një qendër të tillë testimesh”, ka thënë Jasmin Bodmer, zëdhënës i aeroportit, për gazetën në fjalë, transmeton albinfo.ch. Por është shumë herët për të komunikuar detaje të mëtejshme, ka shtuar ai.

Sipas raportit, kompania ajrore zvicerane Swiss është e interesuar të ngre qendra testimesh në aeroportet ndërkombëtare të vendit, në atë të Cyrihut dhe të Gjenevës.

Dega e udhëtimeve do të mirëpriste gjithashtu qendra të tilla testimesh për të hequr qafe  karantinën, gjë që do të përmirësonte ndjeshëm aftësinë për të planifikuar udhëtimet.