"Liga Unike do të rritë vlerat dhe konkurrencën në basketbollin shqiptar"

"Liga Unike do të rritë vlerat dhe konkurrencën në basketbollin shqiptar"

Njëri nga basketbollistët më të dalluar të Kosovës ndër vite është Ferit Zekolli. Ai për 20 vjet karrierë ka luajtur në Kosovë, Kroaci dhe Serbi.

Zekolli ka luajtur për Trepçën dhe Univeristetin e Prishtinës, duke lënë gjurmë në basketbollin e Kosovës, të Ballkanit, por edhe më gjerë. Ai luajti me plotë sukses në ish-Ligën e Jugosllavisë.

Së fundi Federata e Basketbollit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar formimin e Ligës Unike mes dy vendeve, ku do të marrin pjesë katër skuadrat më të mira të Kosovës dhe katër më të mirat e Shqipërisë.

Zekolli ka thënë për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës se kjo është një ide shumë e mirë.

“Mendoj se kjo është një ide shumë e mirë dhe sfida më e madhe besoj se do të jetë pandemia me Covid-19. Nëse nuk ka pengesa me pandeminë, atëherë besoj se do të funksionoj dhe nuk do të ketë problem”, është shprehur ish-qendra 210 centrimetra, duke u dalluar nga lojtarët tjerë.

Ish-basketbollisti i Zarës së Kroacisë tregon çka mund të fitojnë dy vendet nga kjo ligë.

“Kjo ligë do të rritë vlerat dhe konkurrencën, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Të dy vendet kanë pasur nevojë për një ligë të tillë, ku mendoj se do të rritë interesimin për basketboll, si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri. Sigurisht se klubet duhet tu japin hapësirë lojtarëve të rinj dhe të punojnë më shumë me gjenerata të reja, sepse ata janë e ardhmja dhe meritojnë vëmendjen, por edhe përkrahjen më të madhe. Pikërisht kjo ligë është një mundësi për basketbollistët e rinj të tregojnë aftësitë e tyre dhe të fitojnë përvojë.

E theksoj edhe një herë se, kjo ligë është një ide e mirë dhe shpresoj se do të funksionoj siç është më së miri”, është shprehur tutje Zekolli.

Liga Unike do të fillojë në fund të muajit tetor, ku në edicionin e parë do të luajnë katër skuadrat më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria. Dy skuadrat e para kualifikohen direkt në gjysmëfinale, derisa për dy vende do të luajnë 3 vs. 6 dhe 4 vs. 5. /FBK/