Spaho: BE hap negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut, por jo me Shqipërinë

Spaho: BE hap negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut, por jo me Shqipërinë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se Bashkimi Evropian do të hapë negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe jo me Shqipërinë.

Duke ju referuar deklaratës së një ministri gjerman, Spaho u shpreh në “Facebook” se ky vendim vjen për shkak të sjelljes së shumicës qeverisëse.

“Me vendimin për të hapur negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut, duket qartë që nuk janë pengesë problemet e brendshme të BE, por janë problemet e brendshme të Shqipërisë, është vetë Edi Rama. Nëse Rama nuk do të prekte në mënyrë të njëanshme, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, reformën zgjedhore të arritur me konsensus në 5 Qershor, Shqipëria do kishte marrë datën e hapjes së negociatave. Por Ramës nuk i intereson hapja e negociatave, por mbajtja e pushtetit dhe sakrifikoi edhe një herë të ardhmen europiane të vendit sikurse ka vepruar çdo herë që nga viti 2012.”

Spaho shtoi se kryeministri Rama është i frikësuar sepse e di që do të humbë në zgjedhje. Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i japin përgjigjen e merituar.

“I ka hyrë frika në palce nga humbja e zgjedhjeve dhe përgjegjësia penale për këto që i ka bërë vendit në 7 vitet e fundit. Nuk e shpëton dot asnjë manovër. T’i japim atë që meriton në 25 prill.”/VP


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare