Gjykata Speciale konfirmon arrestimin e Sali Mustafës

Gjykata Speciale konfirmon arrestimin e Sali Mustafës

Ish- eprori i UÇK-së Sali Mustafa u arrestua sot nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Kjo është konfirmuar përmes një komunikate për media nga zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett.

“Salih Mustafa u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, ka thënë Bennett.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.

Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara. Informacion i mëtejshëm do të jepet në kohën e duhur, përfundon komunikata.