Ministrja e re e Arsimit Evis Kushi betohet para Presidentit të Republikës

Ministrja e re e Arsimit Evis Kushi betohet para Presidentit të Republikës

Pas votimit me 104 vota në Kuvend, ministrja e re e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, nuk humbi kohë, por shkoi menjëherë në Presidencë, ku dhe u betua para kreut të shtetit, Ilir Meta.

Në ceremoninë e betimit të znj. Kushi ishin të pranishëm sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, ministrja e Arsimit u betua me dorën mbi Kushtetutë, ndërsa sipas procedurës shqiptoi fjalët e mëposhtme: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave.”

Ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi pason në këtë post Besa Shahinin, të cilës iu komunikua ky ndryshim nga vetë kryeministri Edi Rama, njofton eueonews.albania.

Ministrja Kushi më herët ka mbajtur postin e dekanes në Fakultetin Ekonomik të Elbasanit. Gjatë prezantimit të saj nga Rama, znj. Kushi u shpreh se e vlerëson dhe çmon si përgjegjësi të lartë drejtimin e Ministrisë së Arsimit.

"Unë ju falënderoj shumë sepse është një privilegj shumë i lartë, jam shumë e befasuar në fakt nuk e prisja, që pas shtatë vitesh angazhim politik të jem ministre e Arsimit. Më shumë se privilegj e konsideroj një përgjegjësi shumë të lartë që të drejtoj sektorin ku kam punuar tashmë prej 23 vitesh”, theksoi Kushi.