KOMF shkollave: Prioritizoni shëndetin mendor të nxënësve
Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në Kosovë, ka njoftuar se ka përcjellë përmes organizatave anëtare ka përcjellë rifillimin e procesit mësimor e më specifikisht mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë dy javëve të para.
“Krahas marrjes së masave për një rikthim të sigurtë në shkolla për shkak të pandemisë, i cili ishte në të njëjtën kohë edhe fokusi kryesor nga të gjitha palët, KOMF ngre si një çështje jetike e shumë të rëndësishme, mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve gjatë kësaj faze të rikthimit në shkolla”, thuhet në një reagim të kësaj organizate.
“Pandemia globale Covid-19, prej muajsh tashmë ka shkaktuar një paralizë të shumë sferave të jetës, me ndryshime radikale e të menjëhershme në mënyrën e jetesës tonë. Kjo situatë e jashtëzakonshme, shoqëruar me pasigurinë totale për të nesërmen, privimin e pjesshëm të lirisë, ndarjen nga njerëzit e dashur dhe ndërprerjen e detyruar të aktiviteteve të përditshme, ka prodhuar shqetësim, ankth e traumë tek çdo individ, mbi të gjitha tek grupet më të ndjeshme, siç janë fëmijët. Ndërprerja e mësimit ishte një ndër faktorët kryesor të cilët shkaktuan kaos në jetët e fëmijëve e ndër të tjera ngjallën frikë e pasiguri mes tyre. Ndërprerja e mësimit në muajin mars 2020, ishte e detyrueshme dhe e përshpejtuar si pasojë e shpërthimit të pandemisë, duke mos lënë asnjë hapësirë për ta bërë procesin më gradual e të pranueshëm për fëmijët”, thuhet në komunikatë.























